Blendi Memaj nis aventurën si menaxher futbolli – takime dhe marrëveshje të rëndësishme në Stamboll

Ish-futbollisti i njohur shqiptar Blendi Memaj ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u bërë menaxher futbolli. Ai ka udhëtuar në Stamboll, ku ka zhvilluar një seri takimesh dhe ka arritur marrëveshje strategjike për bashkëpunime të reja. Fillimisht, Memaj ka nisur vizitën e tij nga Besiktas, klub ku kishte luajtur në grupmoshat e reja dhe ku ka kaluar disa vite duke krijuar lidhje të forta me stafin dhe akademinë e klubit. Gjatë qëndrimit, ai është takuar me Serdar Topraktepe, ish-trajner i ekipit të parë të Besiktasit dhe aktualisht drejtues i akademisë së klubit. Serdar Topraktepe dhe Blendi Memaj Në takim ishte gjithashtu edhe Adem Çalik, ish-futbollist i Galatasaray, që aktualisht është pjesë e akademisë. Si rezultat i këtyre takimeve, Besiktas i ka besuar Memajt skautimin e talenteve në Kosovë dhe në rajon, duke i dhënë mundësinë të monitorojë nga afër lojtarët me potencial që mund të luajnë për gjigantin turk. Adem Çalik, Blendi Memaj dhe Serdar Topraktepe Ky hap shënon fillimin e një kapitulli të ri për Memajn, i cili po ndërton ura të forta bashkëpunimi dhe po zgjeron ndikimin e tij në futbollin rajonal. /Telegrafi/