Burime policore i kanë thënë NBC News identitetin e një burri të ndaluar si "person me interes", pas të shtëneve fatale në kampusin e Universitetit Brown në Providence, Rhode Island. Tre zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit, të informuar mbi hetimin, i thanë NBC News, se i dyshuari është 24-vjeçari Benjamin Erickson, i cili kishte shërbyer disa vite në ushtrinë amerikane. Dy persona u vranë dhe nëntë të tjerë, të gjithë besohet se janë studentë, u plagosën në sulmin rreth orës 4 pasdite të shtunën, transmeton Telegrafi. Burime i thanë NBC se autoritetet po hetojnë atë që mund të jetë një histori e gjerë e shëndetit mendor për Erickson. Çdo lidhje me Universitetin Brown po hetohet gjithashtu. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, publikoi detajet e një arrestimi në një hotel Hampton Inn në Coventry, rreth 32 km nga Providence, herët të dielën, "bazuar në një pistë" nga policia e Providence. Sipas një deklarate të dhënë për NBC News nga zëdhënësja e ushtrisë, nënkoloneli Ruth Castro: "Benjamin W Erickson ishte një pjes e këmbësorisë (11B) në ushtrinë e rregullt nga maji 2021 deri në nëntor 2024. Ai nuk ka dislokime dhe u largua nga ushtria me gradën e specialistit". Të dhënat publike tregojnë se ai jetonte në Uashington DC në vitin 2024 dhe kishte qenë gjithashtu banor në Wisconsin në vitin 2020. Shefi i policisë së Providence, koloneli Oscar Perez, u tha gazetarëve të dielën se hetimi është "kompleks" dhe po përparon "jashtëzakonisht shpejt", por refuzoi të jepte detaje. Të shtënat ndodhën brenda një klase në katin e parë të ndërtesës së inxhinierisë Barus & Holley, një strukturë shtatëkatëshe ku ndodhet pjesa më e madhe e studimeve dhe kërkimeve të inxhinierisë dhe fizikës së universitetit. Rektori i Universitetit Brown, Frank Doyle, konfirmoi se provimet përfundimtare po zhvilloheshin në ndërtesën e inxhinierisë kur personi i armatosur hapi zjarr. Një zyrtar policie i tha agjencisë së lajmeve AP se personi i armatosur qëlloi më shumë se 40 fishekë 9 mm. Një armë nuk është gjetur, por oficerët sekuestruan dy karikatorë të mbushur me 30 fishekë. Një video e publikuar nga zyrtarët tregon një të dyshuar që ecën në një rrugë larg kampusit dhe kthen një qoshe, i veshur me rroba të errëta dhe të gjera. Nga të plagosurit, tetë persona janë përshkruar si në gjendje të qëndrueshme, megjithëse njëri mbetet në gjendje kritike. Një person tjetër është larguar nga spitali. /Telegrafi/