KRU “Hidrodrini” realizon debllokime të rrjetit të kanalizimit në Pejë dhe Deçan

Ekipet e KRU “Hidrodrini” – Sektori i Kanalizimit nga Peja kanë kryer punime pastrimi dhe debllokimi në shtatë lokacione të qytetit dhe një intervenim në Njësinë e Deçanit. Siç njofton zyra për media e KRU “Hidrodrini”, intervenimet janë kryer për shkak të bllokimeve në sistem, të shkaktuara nga gjësende të ngurta, mbeturina dhe ushqime të hedhura në mënyrë të papërshtatshme, të cilat dëmtojnë funksionimin normal të rrjetit. Debllokimet kanë përfshirë rrugët: Tahir Demaj, Myrvete Maksutaj, Halil Turku, Mbreti Bardhyl, Bekim Berisha-Abeja, Serbeze Gashi dhe Luigj Gurakuqi. Sipas KRU “Hidrodrini”, qëllimi i këtyre veprimeve është përmirësimi i rrjedhshmërisë së ujërave të zeza dhe ruajtja e funksionalitetit të sistemit kanalizues, duke garantuar shërbim më të mirë për qytetarët. Në Njësinë e Deçanit, ekipet kanë kryer po ashtu mirëmbajtje të pusetave dhe rrjetit të kanalizimit, duke parandaluar bllokime të mundshme në të ardhmen. Zyra për Media e KRU “Hidrodrini” apelon tek qytetarët që të mos hedhin në rrjet gjësende të ngurta apo mbeturina, duke respektuar funksionimin e sistemit të kanalizimit. / Telegrafi /