Punëtori përgjegjës harroi t’i lëshojë nxemjet, ndërpritet mësimi në një shkollë të Obiliqit

Një situatë e pazakontë është shënuar sot në Obiliq, ku procesi mësimor është ndërprerë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pandeli Sotiri”. Sipas njoftimit të Komunës së Obiliqit, ndërprerja e mësimit ka ardhur si pasojë e një lëshimi nga ana e punëtorit përgjegjës për ngrohje, i cili ka harruar të aktivizojë sistemin e ngrohjes. Si rrjedhojë, për shkak të temperaturave të ulëta në ambientet shkollore, është marrë vendim që mësimi të pezullohet. Në njoftim thuhet se Drejtoria e Arsimit në komunë është informuar me vonesë për rastin, por menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla dhe për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor në ditët në vijim. Nga Komuna e Obiliqit u është kërkuar ndjesë prindërve dhe nxënësve për shqetësimin e shkaktuar, duke i falënderuar njëkohësisht për mirëkuptimin.