Mosmarrëveshja e gjatë ligjore mes sulmuesit të Real Madridit, Kylian Mbappe, dhe ish-klubit të tij, Paris Saint-Germain, po i afrohet një momenti vendimtar. Të martën, Gjykata e Punës në Paris pritet të shpallë vendimin për këtë çështje, megjithëse ekziston ende mundësia që seanca të shtyhet për një datë të mëvonshme. Të dyja palët po kërkojnë shuma marramendëse pas ndarjes së tyre në verën e vitit 2024. PSG pretendon kompensim prej 440 milionë eurosh nga sulmuesi francez, ndërsa Mbappe kërkon 263 milionë euro nga klubi parisien. Në qendër të konfliktit janë pagat dhe bonuset e papaguara, me vlerë rreth 55 milionë euro, që sipas lojtarit i takojnë në fund të kontratës së tij. PSG argumenton se Mbappe ka shkelur një marrëveshje verbale të arritur në vitin 2023, ndërsa përfaqësuesit ligjorë të futbollistit këmbëngulin se klienti i tyre po kërkon thjesht zbatimin e ligjit francez të punës. Pavarësisht vendimit që pritet të merret, çështja mund të vazhdojë edhe në shkallë të tjera gjyqësore, pasi të dyja palët kanë të drejtën e apelimit. /Telegrafi/