Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një audiencë private me Papa Leo XIV, duke e pozicionuar Kosovën në mesin e pak vendeve në botë që janë pritur që nga zgjedhja e tij në maj, sipas takimeve publike të raportuara – më pak se 10 vende. Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, vlerëson se ky zhvillim dëshmon angazhimin e Kosovës për paqe, harmoni fetare dhe stabilitet rajonal, si dhe vizionin strategjik të Presidentes Osmani, i cili gjen rezonancë të thellë në Selinë e Shenjtë. "Në kontekstin e një papati të përjetshëm, takimi i hershëm me Papën e ri krijon një bazë të fortë për mbështetje afatgjate dhe për zhvillimin e marrëdhënieve strategjike me Vatikanin, duke forcuar themelet për njohje dhe bashkëpunim të qëndrueshëm në vitet dhe dekadat që vijnë". Ky takim shihet si një hap kyç në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe në avancimin e marrëdhënieve strategjike me institucionet e Vatikanit./Telegrafi/