Ushtarët gjermanë të vendosur në Komandën Rajonale-Lindje të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, vazhdojnë patrullimet e tyre të përditshme dhe të natës në disa komuna brenda zonës së përgjegjësisë RC-E. Sipas njoftimit të KFOR-it, patrullat synojnë të sigurojnë një prani të dukshme dhe të besueshme në terren, të përmirësojnë ndërgjegjësimin situativ dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal. “Ata janë pjesë themelore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë,” thuhet në njoftim. Sot, Jan Stoss, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, realizoi një vizitë në Kosovë ku takoi ushtarët gjermanë të angazhuar në këtë mision. Ai u prit fillimisht nga i Ngarkuari me Punë, Christian Böttcher, dhe më pas vizitoi Kampin Film City, ku u prit nga Koloneli Müller, komandanti i kontingjentit gjerman. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe duke mbështetur lirinë e lëvizjes. Misioni operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.