Tetë gola, emocione pa fund: Manchester United dhe Bournemouth nderojnë Ligën Premier

Në javën e 16-të të Ligën Premier, në ndeshjen e fundit, Manchester United dhe Bournemouth ndanë pikët me një barazim spektakolar 4-4 në "Old Trafford", duke konfirmuar që liga angleze është spektakël në vete. Ndeshja nisi me intensitet të lartë dhe me Manchester United që mori avantazhin në minutën e 13-të, kur Amad Diallo shënoi me kokë pas një tollovie në zonën e rreptësisë, duke e çuar rezultatin 1-0. Bournemouth reagoi shpejt dhe në minutën e 40-të, me Antoine Semenyo shënoi për 1-1 pas një aksioni individual brenda zonës. Manchester United rifitoi avantazhin në minutën e 45+4’, kur Casemiro gjeti rrjetën me një kokë pas një këndi perfekt nga Bruno Fernandes, duke e bërë rezultatin 2-1. Pjesa e dytë solli një spektakël të vërtetë golash, duke shkuar epërsia sa andej e sa këndej. Në minutën e 46-të, Evanilson barazoi për Bournemouth pas një pasimi inteligjent nga Marcus Tavernier (2-2). Pesë minuta më vonë, Tavernier shënoi vetë nga një goditje e lirë për të kaluar Bournemouth në epërsi prej 3-2, për herë të parë në ndeshje. Manchester United nuk vonoi shumë për të reaguar. Në minutën e 77-të, Bruno Fernandes realizoi një gol të bukur nga një goditje e lirë, duke barazuar rezultatin në 3-3. Në minutën e 79-të, "Djajtë e Kuq" morën sërish epërsinë, me Matheus Cunha që shënoi për Manchester United për 4-3, duke bërë që rezultati të duket sikur skuadra e shtëpisë do të merrte fitoren. Megjithatë, në minutën e 84-të, Eli Junior Kroupi barazoi për Bournemouth pas një pasimi perfekt nga Alejandro Jimenez, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-4. Ndeshja ishte e mbushur me intensitet, gola spektakolarë dhe momente dramatike, duke treguar përplasjen e fortë midis dy skuadrave dhe karakterin luftarak të lojtarëve. Me këtë rezultat, Manchester United qëndron në vendin e 6-të me 24 pikë, ndërsa Bournemouth ruan pozicionin e saj në tabelë me një performancë mbresëlënëse jashtë fushe. / Telegrafi / Standings provided by Sofascore