Mekanizmat e padukshëm që e deformojnë transparencën

Autore: Aolta Bajrami Në punën time si hulumtuese dhe anëtare e shoqërisë civile, shpesh përballem me situata ku ligjet ekzistojnë, procedurat janë të specifikuara, por realiteti sillet ndryshe. Në Kosovë shpesh korrupsioni nuk e bën xhiron e rrjetit në ballinat e gazetave. A e dini pse? Sepse ai është i heshtur; ai ndodh në zyra ku jo të gjithë kanë qasje, ku një dokument vonohet qëllimshëm, ku një vendimmarrje publikohet selektivisht, ku një tender fitohet për të “njohurit”, apo aty ku transparenca zbatohet në letër vetëm “sa për sy e faqe”. Ky korrupsion i heshtur është më i rrezikshmi, sepse normalizohet, ambalazhohet si procedurë e zakonshme, dhe në fund e bën qytetarin të besojë se institucioni ekziston, por nuk funksionon për të. Në asnjë formë zhvillimi demokratik nuk mund të qëndrojë një shoqëri ku qytetari e sheh veten vetëm si spektator e jo si palë në proces. Nga këndvështrimi i shoqërisë civile, sidomos kur punoj me komuna, me raportime, me kërkesa për qasje në dokumente publike apo me monitorim të proceseve vendimmarrëse, e shoh se problemi më i madh nuk është vetëm mungesa e transparencës, por edhe kultura e llogaridhënies institucionale. Nëpër komuna, nepotizmi është sistem funksionimi i mishëruar me institucionin. Në pozita kyçe administrative takon njerëz që nuk kanë ardhur aty për shkak të kompetencës, përgatitjes profesionale apo meritokracisë, por për shkak të mbiemrit që u qëndron pas. Dhe shpesh këta njerëz nuk e njohin kuptimin e transparencës, nuk e shohin qytetarin si palë të barabartë e as nuk i frikësohen llogaridhënies, sepse e dinë që e kanë krahun e fortë pas vetes; prandaj e përdorin zvarritjen si mjet kontrolli. Kjo çon në situata të absurditetit praktik ku dokumentet nuk refuzohen kurrë me shkrim, por thjesht “nuk gjenden”, “janë në procedim”, ose “janë te drejtori që sot, për rastësi, nuk është”. Në terren kjo përkthehet si fenomen i rrezikshëm ku informacioni nuk rrjedh sipas ligjit, por sipas marrëdhënieve. Dhe aty ku informacioni kontrollohet, llogaridhënia humb. Kjo ndodh edhe në tenderë, në prokurime, në investime kapitale, në të ashtuquajtura projekte të komunës, ku vendimmarrja nuk udhëhiqet nga interesi publik, por nga interesat e lidhjeve politike ose biznesore. Kjo është arsyeja pse disa dokumente thjesht nuk duan të shihen. Sepse janë vendime që favorizojnë kompani të afërta me pushtetin lokal, ndryshe “dostat e kryetarit”; kontrata që tregojnë se çmimet janë ngritur artificialisht; e procesverbale të bukura për t’u parë, por të dhimbshme në përmbajtje, ku shihet qartë ndikimi politik brenda komisioneve. Në këto raste, qasja në dokumente nuk refuzohet pa shkas. Jo. Ajo refuzohet sepse do të ekspozonte interesat e ngulitura thellë në vendimmarrjen komunale. Edhe pse Ligji për Qasje në Dokumente Publike është njëri prej ligjeve më progresive në rajon, ai shndërrohet në dokument idealist në momentin që nuk ekziston vullneti administrativ për ta zbatuar atë. Transparenca është peng i lidhjeve të interesit dhe, për sa kohë që këto lidhje dominojnë strukturat publike, qasja në dokumente do të mbetet një betejë e përditshme e shoqërisë civile. Nëse ka një gjë që institucionet shpesh e harrojnë, është se transparenca është detyrim ndaj qytetarëve që i mbajnë në këmbë. Mungesa e saj dëmton ndjesinë e drejtësisë. Sepse, thjesht, qytetari nuk kërkon shumë, nuk kërkon diçka të jashtëzakonshme; ai kërkon të dijë se si shpenzohet taksa e tij, cilët emërohen në pozita që vendosin për të, kush përfiton tenderë milionësh dhe kush mban përgjegjësi kur gjërat shkojnë keq. Kur këto pyetje mbeten pa përgjigje, mbetet një shije hidhërimi që e largon qytetarin nga institucioni dhe e afron me bindjen “se kështu ka qenë gjithmonë”. Por “kështu ka qenë gjithmonë” është justifikimi më i rrezikshëm që mund t’i bëhet korrupsionit, sepse e bën të përjetshëm. Përsëri mund të përmirësohet nëse kritikat e sugjerimet nuk do t’i merrnin si nënçmim e përulje, nëse realisht do t’i frikësoheshin ligjit e ta zbatonin atë. Mund të bëhen komisione të pavarura me profesionistë, jo njerëz të afërt me strukturat politike. Mund të bëhet regjistrimi dhe publikimi i detyrueshëm i të gjitha mbledhjeve të Kuvendeve Komunale, jo transmetime selektive, jo propagandë përmes rrjeteve sociale, por arkivim publik. Fenomenet e tilla krijojnë humbjen graduale të besimit në institucione. Dhe një shoqëri pa besim në institucione është një shoqëri që humb besim edhe te vetja. Transparenca është oksigjeni i qeverisjes, qoftë lokale, qoftë qendrore; qasja në dokumente zyrtare është mjeti që e sjell oksigjenin, dhe natyrisht shoqëria civile është mekanizmi që e mban në qarkullim. E nëse ka diçka që kam mësuar në punën time në terren, është kjo: institucionet ndryshojnë vetëm kur i detyron realiteti, e jo kur i lutet qytetari. Prandaj realitetin duhet ta ndryshojmë ne, me zë, me këmbëngulje dhe me kërkesa të pandalshme për transparencë; të mos heshtim, sepse heshtja është terri ku korrupsioni rritet. Dhe për sa kohë që ne vazhdojmë të monitorojmë, të kërkojmë llogari dhe të mos pranojmë heshtjen si përgjigje, vonesën si procedurë, mungesën e dokumenteve si rastësi, korrupsioni nuk do të mbetet i padukshëm përjetë. Ky editorial është përgatitur në kuadër të garës së eseve kundër korrupsionit, që KDI ka realizuar mes të rinjve, përfshirë pjesëmarrësit në Akademitë Kundër Korrupsionit, të organizuara në të gjitha rajonet e vendit. Qëndrimet dhe vlerësimet në editorial janë autoriale, dhe nuk pasqyrojnë medoemos qëndrimet e KDI-së. Kurse, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, përkrahen nga Qeveria Suedeze, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.