Në mbrëmjen gala në Tiranë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shkëmbyen replika ironike që ndezën sallën dhe kthyen ceremoninë në spektakël batutash. Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2025”, e mbajtur të hënën mbrëma në Tiranë, nuk solli vetëm emocione sportive. Në skenë pati edhe humor politik dhe thumba të drejtpërdrejta. Kryeministri Edi Rama, i ftuar në ceremoni, zgjodhi të jetë i shkurtër. “Sonte nuk do të mbaj diskutim të gjatë, sepse jam i ftuar dhe kam ardhur te mbretëria e Mbretit Duka…”, tha Rama, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje. Përgjigjja nuk vonoi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ktheu me të njëjtën monedhë, por edhe me një thumb politik. “Sa herë e takoj kryeministrin më pyet sa mandate ke. Mesa duket do ndjekë mandatet e mia për t’u bërë mbret i vërtetë…”, u shpreh Duka. Replikat ironike mes dy figurave kryesore u pritën me humor nga të pranishmit. Një mbrëmje feste për futbollin shqiptar, por edhe një skenë ku batutat zunë po aq vëmendje sa çmimet. /Telegrafi/