Me fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ritheksuar kërkesën ndaj partive politike për respektimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit zgjedhor. Në njoftimin e saj, AIP thekson se “aktivitetet e përpunimit të të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore duhet të realizohen në pajtim të plotë me udhëzimet e Agjencisë që rregullojnë komunikimin me votuesit”, duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Agjencia ka kërkuar nga subjektet politike që përpunimi i të dhënave personale për qëllime të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike të bëhet “mbi baza të qarta ligjore, duke respektuar parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës”. Sipas AIP-së, subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për sigurinë dhe ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale të qytetarëve. Në këtë drejtim, Agjencia ka theksuar se “çdo përpunim i të dhënave personale duhet të mbështetet në një bazë ligjore, siç është pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj”. Po ashtu, AIP ka paralajmëruar se të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo për qëllime jo-politike, nuk duhet të përdoren për komunikim apo marketing politik. Në njoftim theksohet edhe e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar përpunimin e të dhënave të tyre. “Subjektet politike janë të obliguara të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit nga qytetarët”, thuhet në njoftim. Agjencia ka kërkuar gjithashtu shmangien e profilizimit të votuesve dhe përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme për qëllime të marketingut politik, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore. “ “Në rastet kur përdoren teknologji që paraqesin rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave”, thuhet në njoftim. Në fund, AIP ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike, duke theksuar se qëllimi është që “procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta për mbrojtjen e të dhënave personale”. /Telegrafi/