Federata e Golit të Kosovës ka njoftuar me anë të faqes zyrtare se Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF). Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF), duke shënuar një moment historik për zhvillimin e golfit në vend. Vendimi e vendos Kosovën në familjen globale të këtij sporti dhe hap rrugën për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, si dhe përfshirje të mundshme në ciklet olimpike në të ardhmen. Sipas komunikatës, anëtarësimi në IGF është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe përkushtimi të vazhdueshëm për ndërtimin e strukturave kombëtare të golfit. Kontribut i veçantë në këtë proces i atribuohet Dino Asanajt, themeluesit të golfit në Kosovë, si dhe mërgatës shqiptare, e cila ka luajtur rol kyç në mbështetjen financiare, rrjetëzimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Kosovës në institucionet përkatëse. Në komunikatë theksohet gjithashtu mbështetja institucionale e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë dhe kontribuuesve vendorë. Pranimi në IGF shihet si fillimi i një kapitulli të ri për golfit në Kosovë, me synim zhvillimin e infrastrukturës, afirmimin e talenteve të rinj dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare. Njoftimi nga Federata e Golfit të Kosovës Me krenari dhe emocion të veçantë njoftojmë se Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF). Ky vendim shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e sportit të golfit në vendin tonë. Pas shumë vitesh përpjekjesh të pandërprera, vizioni, këmbëngulja dhe besimi ynë kolektiv janë kurorëzuar me suksesin që e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap dyert drejt ëndrrës olimpike. Anëtarësimi në IGF nuk është vetëm një status formal – është një dëshmi e rrugëtimit tonë të gjatë. Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhshme, qindra takimeve ndërkombëtare, mijëra orëve në terren, ndërtimit nga themelet të një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimit të çdo individi që besoi se Kosova mund të jetë pjesë e familjes globale të këtij sporti fisnik. Një vend të veçantë në këtë histori e zë shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, vizionari që e themeloi golfin në Kosovë dhe i dha jetë këtij sporti në kohë kur pak kush e besonte. Kontributi i tij mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua e gjithë struktura e sotme. Gjithashtu, një rol të jashtëzakonshëm ka pasur mërgata shqiptare, e cila në çdo hap të rrugëtimit tonë ka qenë forcë shtytëse. Me përkushtimin, mbështetjen financiare, rrjetëzimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, mërgata ka kontribuar thellësisht në ngritjen e golfit në nivelin ku jemi sot. Falë tyre, Kosova ka qenë e pranishme në tryezat dhe institucionet ku shpesh nuk ka qenë e lehtë të depërtohet. Ky sukses është edhe i tyre — i secilit shqiptar që nga larg ka ndihmuar, ka besuar dhe ka kontribuar. Me mirënjohje të thellë falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) për mbështetjen institucionale dhe për gatishmërinë për ta avancuar golfit në një standard modern dhe kombëtar. Bashkëpunimi me MKRS ka qenë esencial për këtë hap historik. Po ashtu, ky triumf nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të sportit të golfit kudo në botë dhe kontribuesve vendorë që me profesionalizëm e pasion ngritën këtë projekt në nivelin e duhur. Faleminderit IGF për besimin. Faleminderit secilit sportist, trajner, administrator, vullnetar, biznes dhe mbështetës të kauzës sonë ndër vite. Sot Kosova nuk është vetëm një vend që luan golf. Sot Kosova është një vend që përfaqëson golfin në arenën ndërkombëtare. Ky është fillimi i një kapitulli të ri: pjesëmarrja në garat botërore, mundësia e përfshirjes në ciklet olimpike, forcimi i infrastrukturës vendore, zhvillimi i talenteve të rinj dhe afirmimi i Kosovës si një destinacion serioz sportiv. Kosova – Anëtarja e 154-të e IGF. Një ëndërr e bërë realitet. Një rrugëtim që sapo ka filluar / Telegrafi /