Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur ditë më parë në qytetin e Ferizajt, ku një i mitur nga Fushë Kosova, po dyshohet se është dhunuar nga një person të cilin e kishte njohur në rrjetet sociale. I mituri raportohet se ka treguar se përmes rrjetit social TikTok ishte njohur me një person që nuk e njihte më herët. Lidhur me rastin Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë njoftuar se janë në fazën e mbledhjes së provave. “Prokurori i Shtetit ka pranuar një informacion të tillë në lidhje me këtë çështje. Aktualisht çështja në fjalë është në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave tjera të cilat do të shërbejnë për vijimin e procedurës së mëtejshme hetimore”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala. Ajo tutje ka shtuar se kjo çështje penale i takon procedurës për të mitur andaj kufizimi i informacioneve është konfidencial. Ndryshe Policia e Kosovës ka njoftuar se më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. “Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia ka shtuar se me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij. /Telegrafi/