Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot në Hagë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Pas takimit Hamza ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tyre po shkon drejt fundit dhe se pret një përfundim të drejtë. “Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre,” ka shkruar Hamza, duke shtuar se i ka gjetur ata “mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë”. Ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së i kanë shërbyer Kosovës me sakrificë dhe se po përballen me padrejtësi. “Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu,” ka deklaruar Hamza. Hamza ka thënë se këto padrejtësi i ndien personalisht, si qytetar i Kosovës, si mik dhe si kryetar i PDK-së. “Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi,” ka shkruar ai. Sipas tij, procesi gjyqësor po shkon drejt fundit dhe zvarritjet nuk i shërbejnë askujt. “Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare,” ka theksuar ai. Në fund, Hamza ka shprehur besimin se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen në Kosovë. “Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi,” ka shkruar Hamza, duke shtuar: “Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!” /Telegrafi/