Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person i cili derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me targa vendore ishte ndaluar nga njësiti policor, ndërsa hodhi nga dritarja e veturës “diçka të dyshuar”. Rasti ka ndodhur në fshatin Skivjan të Gjakovës, të martën në ora 22:00. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me targa vendore ishte ndaluar nga njësiti policor ku i dyshuari nga dritarja e veturës kishte hedhur diçka të dyshuar”, thuhet në raport. Policia njofton tutje se me urdhër verbal të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar: 14.15 gram substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë, një pistoletë me 6 copë fishekë, 297 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një karikator i armës AK 47 me 18 copë fishekë I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/