Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen me datën 28 dhjetor 2025. Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës. "Plani operativ përfshin katër faza: 1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, 2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, 3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), 4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit". Tutje në njoftim thuhet se faza e parë tani veçse është realizuar dhe janë në fillim të zbatimit të fazës së dytë të angazhimit në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor. "Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është: Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor". /Telegrafi/