Njerëzit e Putinit janë në tërheqje të plotë në një nga frontet më të zjarrta

Burimi: The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Më 15 dhjetor, forcat speciale të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), duke vepruar së bashku me marinën e vendit, ia shkaktuan edhe një goditje të rëndë Flotës Detare Ruse të Detit të Zi. Ato pretenduan goditjen e parë të suksesshme, deri tash, të një nëndetëseje duke përdorur një mjet të manovruar nënujor (UUV). Droni kamikaz Sub Sea Baby goditi nëndetësen e klasës Kilo me vlerë 300 milionë paundë [342 milionë eurove], e cila ndodhej në Novorosijsk. Rusia mohon dëmet e konsiderueshme, por pamjet e shpërthimit tregojnë të kundërtën. Ende pritet një vlerësim i plotë, por, për momentin, sulmi që shkatërron nëndetësen e vlefshme - dhe skelën ku ishte ankoruar - është fitore e dyfishtë për Ukrainën. Dhe, duhet kujtuar se marina ruse gjeti strehë në Novorosijsk pasi ishte dëbuar më parë nga baza e saj e çmuar në Krime, në Sevastopol. Me këtë ritëm, nuk do të ketë më askund siguri për luftanijet ruse në Detin e Zi. Ushtria ruse mund të jetë duke shënuar përparim të ngadaltë në tokë, por marina ruse është në tërheqje të plotë. - YouTube Përveç tablosë së gjerë, kjo humbje e veçantë është domethënëse për Flotën e Detit të Zi. Dy nga nëndetëset e saj me raketa lundruese Kalibr janë humbur: ndoshta kanë mbetur vetëm tri. Nëndetëset Kilo përbënin një aftësi kyçe për goditje në distanca të gjata mbi qytetet ukrainase. Humbja ka zvogëluar ndjeshëm aftësinë e Rusisë për bombardime nga deti dhe aftësinë e saj për të sfiduar anijet tregtare pa u zbuluar. Dronët shpesh përmenden si faktor që ka ndryshuar fytyrën e luftës sot. Kjo padyshim duket e vërtetë në tokë, por mbi det dronët ajrorë të parë deri tani janë thjesht raketa të ngadalta dhe të lehta për t’u shkatërruar. Kjo është dëshmuar vazhdimisht në Detin e Kuq. Deti i Zi ka parë shkatërrimin e luftanijeve madhore ruse - dhe tani edhe të një nëndetëseje - nga dronët sipërfaqësorë dhe tani edhe nënujorë, por jo të gjithë e kuptojnë se në shumicën e rasteve anijet kanë qenë të ankoruara ose të lidhura në skelë, gjë që e thjeshton ndjeshëm detyrën e operatorit të dronit. Distancat e kufizuara në Detin e Zi do të thonë se bazat dhe zonat e ankorimit ruse janë nën kërcënim, jo vetëm zonat e operacioneve. E njëjta gjë vlen edhe për ukrainasit, por ata nuk kanë luftanije madhore dhe kështu paraqesin pak mundësi si objektiva. Një tjetër faktor që nuk kuptohet gjithmonë është se dronët sipërfaqësorë ukrainas janë thjesht mjete të shpejta vetëvrasëse në sulm, vetëm se pa ekuipazh. Kërcënimi nga anijet e vogla dhe të shpejta ka qenë i pranishëm në Lindjen e Mesme për shumë vite dhe, në fakt, nëse anijet luftarake janë në ujë të hapur, në lëvizje, në gatishmëri dhe me trajnim të duhur, ky kërcënim mund të përballohet. Nuk ka shumë anije të “shpejta” - me ekuipazh apo pa të - që mund të mbajnë ritmin me një fregatë apo një shkatërrues, veçanërisht në kushte të vështira në det, dhe jo shumë prej tyre mund të kalojnë përmes zjarrit të një luftanije. Marina Mbretërore ka ushtruar për vite të tëra kundër kërcënimit nga anijet e shpejta iraniane dhe ne ishim të mirë në këtë. Shkalla e suksesit të sulmeve me dronë sipërfaqësorë të Ukrainës ka pasur po aq lidhje me paaftësinë e Rusisë për t’u mbrojtur sa edhe me cilësinë e armës. Megjithatë, të hysh në një port armik në mënyrë nënujore dhe pa njerëz, siç pamë së fundmi, nuk është aspak punë e lehtë. Ky dron i ri [ Sub Sea Baby ] duket se është një pajisje shumë e aftë. Se si saktësisht është vendosur dhe komanduar kjo pajisje, kjo nuk është e qartë. Kalimi i gjatë nga territori i kontrolluar nga Ukraina mund të jetë bërë me dronin në sipërfaqe ose gjysmë-nën ujë, në stilin e mjeteve të trafikut të drogës: ndryshe, mund të jetë lëshuar nga një anije amë - ndoshta një anije tregtare që dukej e padëmshme. Pasi ka arritur pranë Novorosijskit, UUV-ja ka të ngjarë të jetë zhytur plotësisht dhe, në atë pikë, ka shumë mundësi të ketë humbur të gjitha komunikimet - përjashtim do të ishte nëse do të tërhiqte një tel pas vetes deri te anija amë (ose një mjet i vogël me komunikim satelitor i ankoruar në sipërfaqe jashtë portit) gjatë hyrjes. Kjo do të lejonte operatorët e largët të mbanin kontrollin: nëse kjo nuk është bërë, atëherë droni duhej të operonte në mënyrë autonome. Pavarësisht nëse në këtë fazë ishte një operator njerëzor apo një softuer autonom që komandonte dronin, të dy do të përballeshin me të njëjtin problem: si të dinin se ku ndodhej droni në mënyrë që të gjente rrugën për te objektivi. Navigimi satelitor - si GPS - nuk funksionon nën ujë. Navigimi inercial është një mundësi: përdoret në nëndetëse të mëdha me ekuipazh, por versionet më të vogla që do të përdoreshin në një dron mund të mos jenë tamam të sakta, edhe nëse fillojnë nga një pikë me koordinata të fiksuara përpara se të zhyten jashtë portit. Përndryshe, disa zhytës të forcave speciale dhe UUV të vegjël janë të pajisur me dopler të navigimit sonar. Ky nuk është si sonari i zakonshëm i imazhit: në vend të kësaj, projekton rreze zanore në distancë të shkurtër drejt shtratit të detit poshtë tij dhe kthimet tregojnë goxha saktë se çfarë rruge po ndiqet në tokë. Një tjetër plan do të ishte përdorimi i sonarit aktiv për të gjetur nëndetësen, bazuar në njohuritë për planin e portit, ndonëse kjo do të rrezikonte shumë më tepër ndezjen e sensorëve pasivë rusë, nëse ndodhen aty, dhe do të ishte shumë më e rrezikshme - veçanërisht për një sistem autonom. Sidoqoftë, ukrainasit ia dolën, dhe unë shpresoj që shërbimet tona të inteligjencës janë duke punuar fort për të zbuluar se si (ose se e dinë tashmë sepse Perëndimi ka pasur dorë në zhvillimin e kësaj teknologjie), sepse kjo është një arritje që duhet ta dimë si ta imitojmë. Mbrojtja ndaj kësaj është sfiduese. Një zgjidhje e dukshme është një rrjet ose pengesë anti-nëndetëse në stilin e Luftës së Parë Botërore, por kjo metodë nuk është e pëlqyeshme dhe merr shumë kohë. Sidoqoftë, droni mund të presë derisa pengesa të hapet, të ngrihet nga shtrati i detit dhe të godasë. Një metodë më moderne është përdorimi i sonarëve aktivë me rezolucion të lartë në distanca të shkurtra e të vendosur në skelë ose në anijen e ankoruar. Kjo mund të zbulojë zhytësit apo dronët që afrohen, por duhet të kombinohet me një metodë për të reaguar në kohë. Zhytësit me mina ngjitëse mund të neutralizohen lehtësisht duke hedhur, për shembull, ngarkesa shpërthyese një paundëshe [0.45 kilogramë] në port nga një varkë, por në rastin e dronit me ngarkesë shpërthyese 1000 paundëshe [453 kilogramë] duhet ta ndalosh kërcënimin para se të hyjë në port. Ndoshta mbrojtja më e mirë ndaj një gjëje të tillë është të jesh në det. Në këtë rast, UUV-i është më pak i aftë sesa një torpedo që është mjaftueshëm i shpejtë për të të ndjekur. Sub Sea Baby ndoshta nuk mund ta bëjë këtë - të paktën, jo ende. Janë bërë katër vjet nga fillimi i luftës dhe vetëkënaqësia detare e rusëve përballë inovacionit ukrainas është ende e habitshme. Ata duket se janë pothuajse të paaftë për të vendosur shtresat më bazike të vetëmbrojtjes. Megjithatë, mjafton të shikosh infrastrukturën tonë aktuale në skela për të kuptuar se edhe ne nuk kemi ndonjë qëndrueshmëri këtu. Me gjithë retorikën për të qenë në “gjendje lufte”, ky temë duhet të marrë vëmendje serioze. Një sulm i tillë mund të ndodhë në një bazë detare britanike ose në ndonjë objektiv infrastrukturor - ndoshta terminali i gazit në Ajël-of-Grein [Isle of Grain], në lumin e Temzës, nga anija famëkeqe ruse e spiunazhit Yantar , ose nga një super-jaht me dalje nën ujë [moon pool]. Mund të kryhet plotësisht fshehtas nga një nëndetëse e vogël me energji bërthamore, si Losharik , që mund të ketë mbërritur në zonë pa u vënë re, duke u transportuar mbi një nëndetëse të madhe bërthamore. Aftësia jonë për të zbuluar një mision të tillë është aktualisht shumë e kufizuar, me nëndetëset tona sulmuese që shpesh ndodhen të bllokuara në port. Është e qartë se, pavarësisht - apo ndoshta për shkak të - bisedimeve për paqe, Ukraina vazhdon të inovojë dhe të shkëlqejë në përdorimin e sistemeve pa ekuipazh. Në një epokë ku nuk kemi më fonde shtesë për mbrojtje, duhet të bëjmë të njëjtën gjë për të plotësuar platformat tona më tradicionale. Edhe një herë, Rusia nuk ka mundur të mbrohet ndaj këtij zhvillimi të jashtëzakonshëm - dhe as ne nuk do të mundnim. /Telegrafi/