Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati me numër 2 në listën zgjedhore, Uran Ismaili, është takuar me përfaqësues të klubeve sportive dhe sportistë, me të cilët ka diskutuar për sfidat dhe nevojat e sportit në Kosovë. Gjatë takimit, Ismaili ka theksuar rolin e sportistëve si përfaqësues të vendit në arenën ndërkombëtare, duke vlerësuar disiplinën, sakrificën dhe punën e tyre të përditshme, shpesh në kushte të vështira dhe të lënë pas dore nga qeverisja aktuale. Ai ka nënvizuar se përkrahja institucionale dhe investimet serioze janë të domosdoshme për zhvillimin e sportit. Në këtë kontekst, Ismaili ka prezantuar pikat kryesore të programit të PDK-së që lidhen me sportin, përfshirë ndërtimin e Stadiumit Kombëtar Olimpik sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe ringjalljen e objekteve ekzistuese sportive, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe sallat sportive nëpër komuna. Ai ka theksuar se qasja e PDK-së dhe e Bedri Hamzës do të jetë e barabartë dhe se sporti do të mbështetet në çdo komunë, jo vetëm në qytetet e mëdha. Në një postim në rrjetet sociale, Ismaili shkroi se “Bedri Hamza e ka dëshmuar se di të ndërtojë, të udhëheqë dhe të sjellë rezultate konkrete në çdo angazhim të tijin në shërbim publik. Është koha që zhvillimi të jetë prioritet, e që sporti të ecë përpara me investime në çdo komunë, me infrastrukturë sportive dinjitoze dhe me Stadium Kombëtar Olimpik sipas standardeve ndërkombëtare”.