Ishte minuta e 19-të e ndeshjes së Kupës së Mbretit midis Deportivo Guadalajara dhe Barcelonës kur një kamerë televizive "kapi" një futbollist të ekipit vendas, dhe ajo foto shumë shpejt u bë një hit i vërtetë në rrjetet sociale. Shumë veta pyesnin veten nëse ishte Sergio Ramos, ish-kampioni i botës dhe i Evropës me Spanjën, i cili u largua së fundmi nga Monterrey i Meksikës. Gjatë ndeshjes, rrjetet sociale u mbushën me komente, sepse ngjashmëria me mbrojtësin legjendar ishte vërtet e habitshme, përveçse mungojnë tatuazhet e dallueshme. Megjithatë, larg transferimit sensacional të Sergio Ramos, "heroi" i skenës virale quhet Borja Diaz. Ai është një futbollist 35-vjeçar nga Madridi që mund të luajë si mesfushor ose sulmues krahu, dhe ka një karrierë të pasur pas tij në klube të shumta spanjolle. Me kalimin e viteve, ai ka veshur fanellat e Fuenlabrada, Arenas, Sanseo, Recreativo, Rayo Majadahonda, Melilla, Talavera, Hercules, Unionistas nga Salamanca, Estepona dhe që nga viti i kaluar, Deportivo Guadalajara. Ndeshja kundër Barcelonës në Kupën e Mbretit përfaqëson një nga momentet më të mira të karrierës së tij, dhe falë ngjashmërisë së tij të jashtëzakonshme fizike me Sergio Ramos, Borja Diaz u bë qendër e vëmendjes së publikut spanjoll dhe atij botëror. Diaz ishte titullar në ndeshjen kundër ekipit të Hansi Flick dhe u largua nga fusha në minutën e 62-të kur u zëvendësua nga Salifo Caropitche. Barcelona fitoi 2-0 me golat e Andres Christensen dhe Marcus Rashford. /Telegrafi/