Jeta Zymberi-Selmani rikthehet në garë për deputete me numrin 54 në listën e PDK-së

Kandidatja e PDK-së për deputete, Jeta (Adonjeta) Zymberi-Selmani, i është rikthyer garës për mandatin e ardhshëm parlamentar, duke kandiduar me numrin 54 në listën e partisë. Ajo thotë se realiteti politik dhe shoqëror në vend e ka motivuar të angazhohet sërish, duke theksuar nevojën për një qasje më të përgjegjshme, realiste dhe punëtore. Zymberi-Selmani shprehet e vendosur për të folur hapur, për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe për t’u përballur me keqmenaxhimin, duke theksuar se synimi i saj është ofrimi i zgjidhjeve konkrete dhe jo premtimeve boshe. E njohur për angazhimin e saj në kulturë, media dhe çështje sociale, Jeta është përshkruar si “zë i së vërtetës, kulturës dhe avokimit social”. Ajo është shpallur edhe “Ambasadore e Paqes” nga Rrjeti Global për Evolucionin Socio-Ekonomik dhe Financiar. Studimet Bachelor dhe Master i ka përfunduar në Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar si gazetare dhe redaktore për art dhe kulturë, ndërsa aktualisht është e angazhuar në shtëpinë botuese “Dukagjini” si specialiste për marrëdhënie me publikun dhe përgjegjëse për mësimdhënësit në gjithë Kosovën. /Telegrafi/