Arrestohet një i mitur në Vushtrri për vjedhje të rëndë në një objekt ndërtimi

Policia e Kosovës në Vushtrri ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, rast i cili ishte raportuar rreth një javë më parë. Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit policorë të Stacionit Policor në Vushtrri kanë realizuar arrestimin bazuar në dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara gjatë hetimeve. I dyshuari dyshohet se, në bashkëveprim me një person tjetër që ndodhet ende në kërkim policor, ka kryer vjedhje të rëndë në një objekt ndërtimi. Gjatë këtij rasti, si cak i vjedhjes dyshohet se kanë qenë 45 njësorë uji. Pas intervistimit, ndaj të dyshuarit, i cili është i moshës së mitur, me aktvendim të Prokurorit kompetent është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personit tjetër të dyshuar janë duke vazhduar.