Bashkimi Evropian ka liruar 181 milionë euro fonde shtesë në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Kosovën, duke riafirmuar rolin e tij si partneri më i fuqishëm dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare për vendin. Po ashtu, sipas Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i janë dedikuar gjithsej 882 milionë euro, fonde që synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik, reformave dhe afrimit me standardet evropiane. Këto mjete financiare shtesë vijnë si vazhdim i mbështetjes së madhe të BE-së ndaj Kosovës, duke iu shtuar mbi 3.7 miliardë eurove që Bashkimi Evropian ka investuar në Kosovë që nga viti 1999. Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet partneri kryesor strategjik i Kosovës, duke mbështetur zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve dhe procesin e integrimit evropian të vendit./Telegrafi/