Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë përurimit të urës së re për këmbësorë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ka deklaruar se në çdo takim me ndërkombëtarët përsërit qëndrimin e tij që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur. Gjatë përurimit, Kurti tha se nuk ka nevojë që në këtë të jenë pjesëtarët e KFOR-it, por kjo çështje zgjidhet me bashkëbisedim të hapur. “Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur. Kemi gjithsej 77 ura mbi lumin Ibër, shumica janë në Kosovë, ka të tilla edhe Mal të Zi e Serbi, e vetmja urë, e cila ka persona të uniformuar sipër saj tërë kohën është ajo ura kryesore mbi Ibër. Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it, por ne këtë çështje e zgjedhim veçse me bashkëbisedim të hapur, me dialog të sinqertë dhe besoj se do të vijë edhe dita kur edhe ajo urë do të jetë e hapur.. Urat nuk kanë përkatësi etnike, urat mbi Ibër janë ura të Mitrovicës dhe mitrovicasve pa dallim”, tha Kurti. Për hapjen e urës së re mbi lumin Ibër për këmbësorët Kurti tha se në këtë mënyrë rritet qarkullimi në Mitrovicë, raporton KosovaPress. “Të rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mitrovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për republikën tonë, andaj falënderoj operatorin ekonomik, ushtruesin e detyrë së ministrit të Mjedisit, Hysen Durmishin, kryetarin e ri Faton Pecin dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të cilët kanë kontribuar të vijnë te kjo ditë e bukur që ndodhemi mbi lumin Ibër e këtë urë të re”, tha Kurti. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se për gjithsej 54 ditë afat rekordi është realizuar ura e re mbi lumin Ibër për automjete, e nga sot edhe për këmbësorët. “Më 2 korrik 2025 kemi vënë gurthemelin për urën për automjete, më 26 gusht e kemi përfunduar dhe lëshuar për qarkullim, për gjithsej 54 ditë me afat rekord është realizuar. Këtë hapësirë mbi lumin Ibër do ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim jug e veri”, tha Durmishi. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci tha se përfundimisht qyteti po merr drejtimin e duhur me angazhimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. “Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit po marrin drejtimin e duhur, mirëpo kjo është realizuar shkak i angazhimit të kryeministrit Kurti. Nga periudha e pas luftës, fatkeqësisht Mitrovica nga institucionet qendrore, në vazhdimësi është pa si problem i mitrovicasve dhe në këta katër vjet e gjysmë të fundit kemi vëmendjen e institucioneve qendrorë”, tha Peci. Gurthemeli për urën e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë është vendosur më 2 korrik, ndërsa nga sot e gëzojnë qytetarët për automjete dhe kalim.