Lindon Emërllahu zbarkon në Ukrainë - gati transferimi te Polissya Zhytomyr

Lindon Emërllahu, mesfushori i CFR Cluj, do të transferohet te Polissya Zhytomyr, ekip në ligën e parë ukrainase, për një shumë prej 1.5 milion eurosh, njofton mediumi rumun GSP.ro. Emërllahu është nisur tashmë drejt Ukrainës, ku pritet të nënshkruajë kontratën me klubin e ri, duke mos mundur të paraqitet në ndeshjen e fundit të vitit 2025 kundër Botoşanit. Polissya Zhytomyr momentalisht renditet e treta në Ukrainë pas 16 raundeve, me 30 pikë, pesë pikë pas liderit surprizë LNZ Cherkasy, i cili ndan vendin e parë me Shakhtar Donetsk. Mesfushori kosovar ishte gjithashtu në listën e FCSB-së, por pronari Gigi Becali nuk ishte i gatshëm të paguante shumën që do ta kënaqte Neluțu Vargan. Gjatë aventurës së tij te CFR Cluj, Emërllahu ka grumbulluar 40 ndeshje, shënuar 6 gola dhe dhënë 3 asiste. Për Kombëtaren e Kosovës, ai ka 12 paraqitje, një gol dhe dy asiste. Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg aktualisht është 1.3 milion euro. /Telegrafi/