Presidenti rus Vladimir Putin i quajti udhëheqësit evropianë "derra të vegjël" që donin të përfitonin nga rënia e Rusisë. Duke folur në një takim vjetor me Ministrinë e Mbrojtjes, presidenti rus fajësoi ish-presidentin e SHBA-së, Joe Biden për nisjen "me vetëdije" të luftës në Ukrainë dhe tha se "derrat e vegjël evropianë" mbështetën menjëherë amerikanët. Evropa donte të merrte mbrapsht "diçka që ka humbur në periudhat e mëparshme historike dhe të hakmerrej" ndaj Rusisë, tha Putin, duke shtuar se këto plane kanë "dështuar plotësisht", shkruan Politico , përcjell Telegrafi. "Rusia ka demonstruar qëndrueshmërinë e saj në ekonomi, financa, në situatën e brendshme politike të shoqërisë... dhe në sferën e kapacitetit mbrojtës", ka pretenduar Putin. Putin tha gjithashtu se Rusia është gati për dialog me Evropën, por kjo nuk do të jetë e mundur me grupin aktual të politikanëve evropianë. Ai vlerësoi ushtrinë ruse, duke thënë se "askush në botë" nuk ka një ushtri aq të mirë sa ajo e Rusisë dhe se tani ajo është "me përvojë në luftë". Sipas mediave ruse, ish-presidenti rus Dmitriy Medvedev — tani kreu i Këshillit të Sigurisë së Putinit — përdori fjalët “derra të vegjël” për të përshkruar udhëheqësit perëndimorë në kanalin e tij Telegram në vitin 2022. Komentet e ashpra të Putinit erdhën ndërsa zyrtarët amerikanë pohuan se bisedimet e mëparshme me Ukrainën në Berlin kishin zgjidhur rreth 90% të çështjeve më të vështira. Por mbeten dyshime të mëdha nëse udhëheqësi rus është i përgatitur të bëjë kompromis mbi kërkesat e tij gjithëpërfshirëse. Putini ka këmbëngulur vazhdimisht që Kievi të lëshojë pjesët e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Ukrainës - një kërkesë që Shtëpia e Bardhë herë pas here duket se e mbështet, por që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht. Moska gjithashtu ka kërkuar kufizime të rrepta për ushtrinë e Ukrainës, një ndalim për trupat perëndimore në territorin ukrainas dhe një fund të mbështetjes ushtarake perëndimore. Udhëheqësi rus të mërkurën mohoi gjithashtu se Moska po planifikonte të pushtonte territorin e NATO-s, duke pretenduar në vend të kësaj se aleanca kishte filluar përgatitjet për një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë, me synim vitin 2030. /Telegrafi/