Prishtina do të shpenzojë rreth 100 mijë euro për dekorimin e qytetit gjatë festave të fundvitit, sipas një njoftimi zyrtar të prokurimit të publikuar nga Komuna e Prishtinës. Kontrata ka të bëjë me shërbime për dekorimin e shesheve të kryeqytetit për festat e fundvitit dhe është dhënë përmes procedurës së negociuar. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 100 mijë euro, ndërsa vlera përfundimtare e kontratës së nënshkruar është 98,557 euro, raporton Telegrafi. Sipas dokumentit, kontrata është nënshkruar më 12 dhjetor 2025, ndërsa do të dekorohen sheshet kryesore në Prishtinë. Komuna e Prishtinës u vonua në dekorimin e shesheve, pasi ishte përballur me një krizë financiare, me çka kishin pasuar protesta nga Trafiku Urban, që vendosën autobusët para komunës për nëntë ditë me radhë, me kompaninë duke kërkuar pagat e punëtorëve dhe pagesën e shërbimeve kyçe për funksionimin e transportit. Ministria e Financave kishte alokuar 28 milionë euro në llogari të Komunës së Prishtinës, për t'i kryer pagesat për shërbimet publike dhe për disa projekte, mjete këto që ishin të Komunës dhe një pjesë grant qeveritar. / Telegrafi /