Përfshirja e Jude Bellingham në "Formacionin e vitit të FIFA" të vitit 2025 ka shkaktuar debate mes tifozëve dhe ekspertëve të futbollit. Shumë e kanë vlerësuar si të diskutueshme vendimin për të përfshirë mesfushorin e Real Madridit, pasi ai nuk arriti të fitojë ndonjë trofe të rëndësishëm gjatë vitit 2025. Moises Caicedo pati një vit të shkëlqyer me Chelsean dhe përfundoi me 14 pikë në renditjen e FIFA-s, e njëjta shifër që pati edhe Bellingham. Madje, Caicedo mori më shumë pikë nga panelistët e FIFA-s (8 pikë) krahasuar me Bellinghamin (6 pikë), por megjithatë mesfushori nga Ekuadori u përjashtua nga lista e "The Best XI". Sipas rregullave të FIFA-s për çmimet Best Awards, “në rast të barazimit, fitues shpallet lojtari që ka më shumë pikë nga ekspertët e futbollit të emëruar nga FIFA”. Megjithatë, duket se këtë herë FIFA vendosi të japë prioritet votave të tifozëve, ku Jude Bellingham mposhti dukshëm Caicedon, duke siguruar vendin e tij në formacionin më të mirë të vitit. Ky rast ka ngjallur debate mbi mënyrën se si FIFA vendos për përfshirjen e lojtarëve në The Best XI dhe rolin që kanë votat e tifozëve në krahasim me pikët e ekspertëve. /Telegrafi/