Paris Saint-Germaini është shpallur fitues i Kupës Ndërkontinentale, pasi mposhti në finale Flamengon pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk prodhuan fitues. PSG e nisi ndeshjen më mirë dhe krijoi rrezik që në minutat e para. Në minutën e nëntë, Fabian Ruiz shënoi me një goditje të saktë nga jashtë zone, por goli u anulua pas rishikimit me VAR, pasi topi kishte dalë jashtë fushës gjatë aksionit. Goli i parë i rregullt erdhi në minutën e 38-të, kur Khvicha Kvaratskhelia përfitoi nga një pasim i shkëlqyer mes mbrojtjes dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë PSG-së prej 1-0. Pjesa e parë u karakterizua edhe nga disa ndërhyrje të ashpra dhe kartonë të verdhë për të dyja skuadrat. Në pjesën e dytë, Flamengo reagoi dhe shtoi presionin. Momenti kyç erdhi në minutën e 60-të, kur pas një faulli në zonë, gjyqtari Ismail Elfath u thirr nga VAR-i dhe akordoi penallti për brazilianët. Nga pika e bardhë, Jorginho ishte i saktë dhe barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 62-të. Pjesa e mbetur e ndeshjes dhe shtesat u luajtën me intensitet të lartë, por pa gola të tjerë, pavarësisht disa ndryshimeve taktike dhe zëvendësimeve nga të dy trajnerët. Të dyja ekipet treguan kujdes për të mos pësuar, duke e çuar përballjen drejt penalltive. Në penallti më të saktë u treguan francezët duke triumfuar me rezultat 2-1 dhe duke u shpallur fitues të trofeut./ Telegrafi / THE TROPHY IS RETURNING TO PARIS!!!!!! #PSGFLA I #FIFAIntercontinentalCup pic.twitter.com/dWiC3Ye3c3 — Paris Saint-Germain (@PSG_English) December 17, 2025