Kuqezinjtë sonte zhvilluan seancën e fundit stërvitore para përballjes vendimtare të raundit të gjashtë në UEFA Ligën e Konferencës, ku të enjten në Qipro do të sfidojnë AEK Larnaca-n, me synimin për të marrë rezultat pozitiv dhe për të konfirmuar kualifikimin në fazën e ardhshme të garës, njofton Telegrafi. Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, trajneri Jeton Beqiri theksoi se ekipi i tij ka treguar se mund të përballet denjësisht edhe me skuadra të forta evropiane. “Kemi provuar se dimë të luajmë edhe ndaj ekipeve të forta në Europë. Respektojmë maksimalisht AEK-un, por nuk hyjmë në ndeshje për t’u frikësuar ”, deklaroi Beqiri, duke shtuar se vetëm përmes punës dhe seriozitetit maksimal gjatë gjithë ndeshjes mund të arrihet rezultati i dëshiruar. Tekniku kuqezi vlerësoi edhe cilësitë e kundërshtarit, duke veçuar organizimin dhe mbrojtjen e fortë të ekipit nga Qipro. “Ata luajnë si ekip, sulmojnë dhe mbrohen së bashku, prandaj për të dalë me rezultat pozitiv duhet të bëjmë një paraqitje të nivelit të lartë” , nënvizoi Beqiri, duke shtuar se Shkëndija synon ta përmbyllë me sukses aventurën evropiane në këtë fazë. Nga ana tjetër, portieri Baboucarr Gaye theksoi se përgatitjet janë fokusuar në detaje dhe në analizën e kundërshtarit. “AEK-u është një ekip i mirë me lojtarë cilësorë dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm, jo vetëm unë si portier, por i gjithë ekipi” , tha Gaye, duke theksuar rëndësinë e punës së stafit teknik në përgatitjen e ndeshjes. Gaye foli edhe për qasjen e tij personale para sfidës në Qipro, duke theksuar se fokusi është vetëm te detyrat e tij në fushë. “Përpiqem të qëndroj i qetë dhe i përqendruar, të mbaj portën të sigurt dhe të mbështes ekipin në çdo moment”, u shpreh portieri kuqezi. Duke folur për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, Beqiri rikujtoi se kjo është përballja e fundit e fazës për të dyja skuadrat dhe se të dy ekipet janë në garë për kualifikim. “Deri në ndeshjen e fundit jemi në luftë për diçka të madhe dhe shpresojmë që me një paraqitje të mirë të vazhdojmë rrugëtimin evropian edhe në pranverë”, deklaroi trajneri i Shkëndijës. Në fund, Gaye nënvizoi se prioriteti mbetet suksesi i ekipit dhe jo statistikat personale. “Nuk më intereson kush bën pritjen apo kush bllokon topin në vijë, rëndësi ka që ekipi të ketë sukses” , tha ai, duke shtuar se objektivi është që viti të mbyllet fuqishëm dhe me rezultat pozitiv në Qipro. Ndeshja AEK Larnaca – Shkëndija luhet me fillim nga ora 21:00. /Telegrafi/