Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie, Uran Ismaili, përmes një postimi në rrjetet e tij sociale iu është drejtuar qytetarëve, duke i ftuar të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës dhe PDK-së për Kosovën. Nga tubimi hapës në Prizren, ku u prezantuan kandidatët për deputetë dhe një pjesë e programit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Ismaili tha se atmosfera e krijuar ishte dëshmi e bashkimit të qytetarëve nga çdo cep i vendit rreth një vizioni të përbashkët. “Me 28 dhjetor, vota për #PDK130 është votë për Kosovën që ecë përpara me Bedri Hamzën kryeministër – një njeri i dëshmuar, punëtor dhe me integritet, i cili ka përvojën dhe vizionin për ta sjellë kapitullin e ri të stabilitetit dhe zhvillimit në vend,” ka shkruar Ismaili. Në tubimin hapës, kandidati për kryeministër Bedri Hamza prezantoi listën e kandidatëve për deputetë dhe pikat kryesore të programit zgjedhor me sloganin “Bashkë. Përpara”, duke theksuar orientimin e partisë drejt stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës.