Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas samitit të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor ka bërë të ditur se në fund të janarit do të hiqen masat e fundit ndëshkuese ndaj Kosovës. Osmani, ka njoftuar nga Brukseli se në përfundim të Samitit BE–Ballkani Perëndimor është marrë vendimi që të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës të hiqen. Ajo bëri të ditur se një pjesë e masave hiqen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hiqet në fund të janarit. E derisa presidentja e Kosovës po jepte lajmin, aty ndërhyri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot. I ka zhbllokuar të gjitha fondet e bllokuar për kaq kohë...e lerë çfarë thotë, kemi lajme, s’kemi lajme, ka kjo lajme dhe është merita e kësaj qind për qind, bravo të qoftë”, tha Rama. Tutje kryeministri shqiptar me shaka theksoi “ti e din që unë s’të du, po të vërtetën duhet me thanë”. Ndërkaq, më pas presidentja e vendit, Osmani falënderoi kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për përkrahjen. /Telegrafi/