Komuna e Mitrovicës merr vendim që shërbimet administrative për qytetarë të realizohen edhe gjatë fundjavës

Mitrovica e Jugut ka vendosur që sektori i Gjendjes Civile të ofrojë shërbime për qytetarët edhe gjatë vikendeve, në periudhën kur mërgata viziton Kosovën në numër të madh. Kryetari i Komunës, Faton Peci, tha për këtë iniciativë: "Sot mora vendimin për ofrimin e shërbimeve për qytetarët nga Komuna e Mitrovicës edhe gjatë vikendit. Duke marrë parasysh që në këtë periudhë, kur mërgata në numër të madh viziton Kosovën, Sektori i Gjendjes Civile do të jetë në shërbim të tyre edhe gjatë vikendit". Ai theksoi se vendimi hyn në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 4 janar 2026, me orar pune nga ora 08:00 deri në 12:00. "Ky vendim ka për qëllim të lehtësojë shërbimet administrative dhe të sigurojë që qytetarët, veçanërisht ata që vijnë nga diaspora, të kenë qasje të shpejtë dhe të rregullt në shërbimet komunale", thuhet më tej në postimin e Pecit. Komuna e Mitrovicës së Jugut apelon tek qytetarët që të përfitojnë nga ky shërbim i zgjeruar dhe të respektojnë orarin e caktuar për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të tjera administrative. / Telegrafi /