Prokuroi publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka përfunduar procedurën e mbledhjes së provave dhe ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup kundër një personi për veprat penale "Dhunë" sipas nenit 386, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1, si dhe "Pengim i personit zyrtar në kryerjen e një veprimi zyrtar" sipas nenit 382, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. "Më 10 dhjetor, i akuzuari kreu dhunë të rëndë ndaj dy gazetarëve në median online të lajmeve ditore "Infomax", si dhe ndaj një të ftuari në emisionin e tyre, duke i penguar kështu ata të kryejnë aktivitetet e tyre profesionale. Ndërsa emisioni "Teshki Muabeti" transmetohej drejtpërdrejt në YouTube dhe në rrjetet sociale, i akuzuari shkroi komente ofenduese dhe kërcënuese për një nga gazetarët për shkak të kritikave të drejtuara ndaj Kryeministrit në emision. I akuzuari më pas erdhi në adresën ku ndodhet studioja, theu portën hyrëse dhe theu si derën e përparme të ndërtesës ashtu edhe derën e studios, duke rezultuar në ndërprerjen e emisionit. Njëri nga të dëmtuarit u përpoq ta ndalonte të akuzuarin të hynte në studio, por ai vazhdoi të bërtiste dhe t'i kërcënonte me jetë, i mallkoi dhe i ofendoi të pranishmit, madje u përpoq t'i sulmonte fizikisht, duke tundur krahët dhe duke hedhur një gotë drejt tyre. Të dëmtuarit thirrën policinë, ndërsa ndërkohë arritën ta qetësonin të akuzuarin dhe ta nxirrnin në rrugë", njoftojnë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Aleksandar Mitovski: Redaksia dhe shtëpia ime mbrëmë ka qenë cak i një sulmi Nga atje thonë se me veprimet e dhunshme i akuzoi shkaktoi ndjenjë pasigurie dhe frike tek të dëmtuarit dhe personat e tjerë të pranishëm. "Ekzaminimi mjekësor i të akuzuarit tregoi se pavarësisht gjendjes së tij të mëparshme shëndetësore mendore, ai e kreu veprën penale me paramendim. Prandaj, prokurori publik paraqiti një propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë me qëllim sigurimin e tij gjatë procedurës", shtojnë nga PTHP-Shkup. /Telegrafi/