Spitali i Prizrenit drejt transformimit të plotë me investime mbi 11 milionë euro

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit po përjeton një transformim rrënjësor, falë investimeve të mëdha në aparaturë moderne, shërbime të avancuara dhe infrastrukturë bashkëkohore. Vitia theksoi se në kuadër të këtij procesi janë realizuar dhe po realizohen investime në fusha të ndryshme mjekësore, përfshirë kardiologjinë invazive me angiografin e ri, rezonancën magnetike (MRI), pulmonologjinë dhe shërbimin e ri për Sleep Apnea, pediatrinë, internon dhe kujdesin intensiv, si dhe emergjencën, radiologjinë dhe bllokun kirurgjik, përcjell Telegrafi. Sipas ministrit, investime të rëndësishme janë bërë edhe në hemodializë, transfuzion, patologji, pajisje moderne diagnostike dhe terapeutike, si dhe në ndriçimin dhe infrastrukturën e jashtme të standardizuar. “Falënderoj mërgatën tonë, miqtë tanë dhe profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre në këtë transformim. Spitali i Prizrenit tani është më i fuqishëm dhe më funksional, duke ofruar shërbime më të sigurta dhe më të avancuara për qytetarët”, shkroi Vitia. Vlera totale e investimeve arrin mbi 11 milionë euro, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në rajon. / Telegrafi /