“Masat ndaj Kosovës do të hiqen në fund të janarit”, Osmani falënderon liderët e BE-së: Takimet intensive sollën rezultate konkrete

Një ditë pasi u bë publike se në fund të janarit do të hiqen masat e fundit ndëshkuese ndaj Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian. E para e shtetit, të mërkurën në mbrëmje dha lajmin se në përfundim të Samitit BE–Ballkani Perëndimor është marrë vendimi që të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës të hiqen. Ajo sqaroi se një pjesë e masave hiqen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hiqet në fund të janarit. E sot, presidentja në një postim në Facebook tha se takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin. “Takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin tonë. Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës. Falënderoj përzemërsisht liderët e Bashkimit Evropian, si dhe të gjithë partnerët tanë, për vlerësimin e angazhimit të palodhur të Kosovës”, shkruan Osmani. /Telegrafi/