Punë të paqena, roje robotike dhe intervistues të IA-së: Epoka e zymtë e kërkimit të punës

Nga: Eleanor Margolis / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com Teksa aplikoj për një tjetër punë, shoh faqen e internetit të kompanisë për përmbajtje. Katër ose pesë herë e lexova seksionin e tyre “çfarë bëjmë”, dhe kam një problem - nuk arrij të kuptoj çfarë bëjnë. Këtu janë dy mundësi. E para: vetë ata nuk e dinë çfarë bëjnë. E dyta: ajo që bëjnë është aq e pavlerë dhe për turp saqë nuk guxojnë ta thonë qartë në gjuhë të zakonshme. “Ndërtojmë sisteme të avancuara marketingu të hapësirës së mirëqenies në internet” mund të përkthehet si: “Përdorim ChatGPT -në për të shitur suplemente të dyshimta”. Por, është problem më i vogël të dish se çfarë bëjnë në të vërtetë shumë biznese. Aktualisht, jam mes pesë përqind të britanikëve që janë të papunë. Pas gjashtë muajsh kërkimesh për punë, mungesa totale e suksesit më ka bërë të vë në dyshim ekzistencën time. Kur aplikon vazhdimisht për punë në të njëjtën fushë, njëjtë si në rastet kur përsërit një fjalë pa pushim derisa të humbasë kuptimin, semantika e gjithë situatës fillon të shpërbëhet si një facoletë e lagtë. Rreth një në pesë aplikime që bëj sjell një postë elektronike refuzimi, zakonisht me ankesën për “numrin e madh të aplikantëve cilësorë” për pozicion. Por, në shumicën e rasteve - asgjë. Është thuajse puna të mos ketë ekzistuar kurrë, dhe ka gjasa që vërtet të mos ketë ekzistuar. Në vitin 2024, 40 përqind e kompanive postuan njoftime për “punë fantazmë”, pozicione që nuk ekzistojnë, të shpallura për të krijuar iluzionin se kompania po ecën aq mirë - aq mirë saqë ka nevojë për punëtorë të tjerë. Dhe, kjo duket si një mënyrë shumë e lehtë për të gënjyer për suksesin tënd. Rregullimi i reklamave për punë është kryesisht në kompetencë të Autoritetit për Standardet e Reklamimit, i cili - me gjithë fuqinë e vet - mund të bëjë vetëm ... heqjen e një reklame të gabuar. Pra, duke mos pasur ndonjë pasojë të rëndë për punëdhënësit, pse të mos bëjnë një fushatë të rreme punësimi? Etika në tregun e punës duket se ka dalë jashtë dritares, dhe ideja për të humbur kohën e mijëra kërkuesve të pafajshëm të punës nuk ka më rëndësi. Edhe nëse puna për të cilën po aplikon ekziston, pengesa e radhës është boti i burimeve njerëzore [HR] me inteligjencë artificiale [IA]. Edhe pse është e vështirë të gjesh të dhëna të sakta për numrin e punëdhënësve që përdorin IA-në për të filtruar aplikimet (nganjëherë duke favorizuar burrat ndaj grave, nëse marrim për shembull një algoritëm të përdorur dikur nga Amazon -i që tashmë është hequr), gjithandej ka artikuj dhe tema në Reddit se si të manipulosh botat dhe të futësh “fjalët kyçe”. Sipas një artikulli të revistës The Atlantic , më herët këtë vit: “Të rinjtë po e përdorin ChatGPT -në për të shkruar aplikimet; HR-ja po përdor IA-në për t’i lexuar; askush nuk po punësohet”. Dhe, le të themi se CV-ja dhe letra e motivimit ia dalin të kalojnë robotët rojtarë, ka gjasa që edhe intervista të zhvillohet me një bot tjetër. Edhe pse nuk kam pasur “kënaqësinë” të kem asnjë intervistë, qoftë nga IA-ja apo diçka tjetër - qëkur nisa këtë kërkim e fundit për punë - mundësia për të mos pasur kontakt me asnjë njeri gjatë gjithë procesit, për t’u bërë menaxher i marketingut i rrjeteve sociale për suplemente të dyshimta, më duket e madhe dhe e tmerrshme. Edhe pse kjo tollovi për punë zakonisht paraqitet si problem për të porsadiplomuarit, mund të konfirmoj - si dikush që u diplomua para 15 vjetësh, drejt e në recesion - jo vetëm që ky është tregu më i keq i punës që kam parë ndonjëherë, por po ndikon edhe te njerëzit si unë me shumë vite përvojë. Gjatë periudhës sime të fundit të kërkimit të punës, rreth tre vjet më parë, të paktën shkoja në intervista. Dhe, për më tepër, me njerëz të vërtetë. Duke parë gjithë ata profesionistë që njoh dhe që nuk po arrijnë të sigurojnë intervista as për pozicione fillestare, jam e sigurt që nuk paraqes ndonjë përjashtim. Jam gjithashtu e bindur se po përballemi me një krizë në të cilën punët për shtresën e mesme janë degjeneruar në bisha të rralla dhe shqetësuese. Kur - sipas një shpalljeje për punë - një kompani e pavarur për ushqim për kafshë shtëpiake, me një emër si Flopsies , kërkon një “yll roku” dhe një “njëbrirësh” për të revolucionarizuar praninë në rrjete sociale, e kupton që tregu i punës është dehur me pordhat e veta. Frankenpunët e paqarta, që kërkojnë gjithçka, nga SEO [Search Engine Optimization] e deri te aftësitë për montazh videosh (për një pagë prej 27 mijë paundësh dhe me çokolata falas me proteinë që kanë shijen e kashtës), kërkojnë përkushtim sektar. Së pari, duhet të bindësh njerëzit e mirë të Flopsies -it se ka qenë ëndrra jote, që nga lindja, të shesësh ushqim për kafshë. Do t’i prisje duart e tua për këtë privilegj dhe do të mësoje të shkruash për ta duke përplasur fytyrën mbi tastierë. Këtë do ta shprehësh në një letër motivimi prej 400 fjalësh, të shkruar me gjakun tënd. Dhe, kjo letër do të ridrejtohet në hiç nga një filtër i IA-së, sepse nuk e ke përdorur në të frazën “optimizimi i rëndësisë algoritmike”. Nuk do të dëgjosh më kurrë asgjë nga Flopsies -i. Do ta nisësh këtë proces nga e para dhe do ta përsërisësh derisa të konsiderohesh i/e denjë për një intervistë në të cilën ke disa minuta për ta bindur një bot se je i/e aftë për punë dhe si qenie njerëzore. Procesi i rekrutimit është bërë kaq i mekanizuar, si në kuptimin figurativ ashtu edhe në atë fjalëpërfjalshëm, saqë është e vështirë të besohet se njerëzit që përzgjidhen për punë nuk janë thjesht ata që janë më të zotët për të manipuluar sistemin. Dhe, sinqerisht, të kenë gjithë fatin e botës! S’është ndonjë humbje për mua nëse punët me suplemente të dyshimta apo ushqim për kafshë i fiton dikush që është mjeshtër në krijimin e iluzionit se jeton dhe merr frymë vetëm për to. Por, në këtë proces të rrjedhave, çfarë ndodh me ata prej nesh që nuk dinë apo nuk duan ta luajnë këtë lojë? Nga të gjitha aplikimet që kam dërguar së fundmi, pyes veten sa prej tyre janë parë nga sytë e njerëzve. Ka një kufi sa mund të bërtasësh në boshllëk për aftësitë e tua me një CMS [Content Management System], përpara se të fillosh të kërkosh në Google për frazat si: “A mund ta shes një veshkë në Vinted [ueb-faqe për shitje]”? /Telegrafi/