Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës goditi një aeroport ushtarak rus në Krimenë e pushtuar, duke shkatërruar pajisje të mbrojtjes ajrore me vlerë qindra miliona dollarë, tha agjencia në një postim në Telegram. Sulmi gjatë natës kishte në shënjestër bazën ajrore Belbek pranë Sevastopolit dhe u krye nga dronë me rreze të gjatë veprimi të operuar nga njësia Alpha e Qendrës së Operacioneve Speciale të SBU-së, transmeton Telegrafi. "Operacioni ishte një goditje e drejtpërdrejtë mbi aftësitë e mbrojtjes ajrore të armikut", tha agjencia. Sipas SBU-së, sulmi dëmtoi dy sisteme radarësh me rreze të gjatë veprimi Nebo-SVU (secili vlerësohet të kushtojë midis 60 dhe 100 milionë dollarëve), një radar 92N6 të përdorur në sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 "Triumf" (i vlerësuar në rreth 30 milionë dollarë në tregun e brendshëm të Rusisë dhe deri në 60 milionë dollarë për eksport), një sistem mbrojtjeje ajrore Pantsir-S2 (me vlerë të vlerësuar nga 12 deri në 19 milionë dollarë) dhe një aeroplan luftarak MiG-31 të pajisur me një ngarkesë të plotë luftarake (me vlerë afërsisht 30 deri në 50 milionë dollarë në varësi të konfigurimit të tij). "Këto sisteme janë kritike për mbrojtjen e objekteve të mëdha ushtarake dhe logjistike në Krime", tha agjencia ukrainase e sigurisë. SBU shtoi se eliminimi i këtyre komponentëve "dobëson ndjeshëm sistemin e mbrojtjes së shtresuar të armikut dhe kapacitetin e përgjithshëm ushtarak në boshtin e Krimesë". Baza ajrore Belbek është përdorur rregullisht nga forcat ruse për të vendosur avionë luftarakë dhe asete të mbrojtjes ajrore. "Ne do të vazhdojmë të shkatërrojmë sistematikisht mbrojtjen e pushtuesve për ta bërë Krimenë të cenueshme dhe për të rivendosur kontrollin ukrainas", tha agjencia. SBU-ja ka intensifikuar sulme të tilla si pjesë e një fushate më të gjerë për të çmontuar infrastrukturën e mbrojtjes ajrore të Rusisë në Krime, dhe për të dobësuar aftësinë e saj për të mbrojtur objektiva të rëndësishme ushtarake. /Telegrafi/