Tërheqja e komunave serbe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Ibrahimi: Presim që ky vendim të ndryshohet

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë vendosur të tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke njoftuar se duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend. Ky vendim pason rikthimin e pushtetit në këto katër komuna nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Serbia, pas zgjedhjeve lokale të tetorit. Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan - Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq - Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok - Nemanja Jakshiq. Komunat në veri tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës Kryetarët e rinj të këtyre komunave kishin paralajmëruar që në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë. Në lidhje me këtë veprim, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Telegrafin tha se shpreson që ky vendim të ndryshohet, pasi Asociacioni ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të komunave. “Asociacioni i Komunave të Kosovës është një mekanizëm vullnetar, i cili punon dhe mbron interesat e autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës. Me vetë faktin që sot këto katër kuvende komunale nuk po hyjnë në Asociacion, nga aspekti procedural, mirëpo kuvendet komunale janë organet më të larta vendimmarrëse në nivel lokal”, tha Ibrahimi. "Asociacioni ka dyert e hapura për të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që lobimi, avokimi dhe ngritja e kapaciteteve tona të jenë më efikase dhe më efektive. Ai shtoi se: "Besojmë që ky vendim shumë shpejt do të ndryshohet, në mënyrë që të gjitha komunat e Republikës së Kosovës të jenë anëtare të Asociacionit dhe të përfitojnë nga përfitimet që ofron. Asociacioni jonë punon për autoritetet lokale, pa marrë parasysh kush i udhëheq ato”. Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023. Telegrafi ka kontaktuar gjithashtu edhe ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, por deri në kohën e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje. / Telegrafi /