Komisioni për Persona të Zhdukur jep detaje për mbetjet mortore të mundshme të viktimave të luftës në Rahovec

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), pas analizimit të të dhënave nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), ka nisur aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, i njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, pranë varrezave të qytetit. Gërmimet, të cilat kanë filluar ditën e djeshme, kanë rezultuar me gjetjen e dy pjesëve ështërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, që mund t’i përkasin viktimave të luftës të përfshira në listën e personave të zhdukur. Ky proces po realizohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Komisioni njofton se ky lokacion është i fundit që adresohen në kuadër të gërmimeve vlerësuese për vitin 2025. Një prononcim për media lidhur me ecurinë e aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacione të tjera do të mbahet të nesërmen, më 19 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, direkt nga lokacioni. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet e angazhuara në këtë proces theksojnë përkushtimin e tyre për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. / Telegrafi /