Dikur pothuajse e panjohur për opinionin publik në Kosovë, ndërsa sot një nga personat më me ndikim jashtë institucioneve formale të vendimmarrjes dhe pushtetit ekzekutiv – Dejona Mihali këto ditë ka tërhequr sërish vëmendje të madhe. Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria nuk ka ushtruar kurrë ndonjë funksion publik në qeveritë e Albin Kurtit, as nuk është paraqitur shpesh në media, por, sipas kritikëve, veprimet e saj tregojnë për një pushtet të thellë dhe joformal në “disiplinimin” e kuadrove, për çka në publik ka marrë nofkën “komisarja rozë”.