Komuna e Suharekës lehtëson qarkullimin dhe parkimin për mërgimtarë gjatë festave të fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se gjatë periudhës së festave të fundvitit do të lehtësohet qarkullimi dhe parkimi për automjetet me targa të huaja në hapësirat publike të qytetit. Sipas tij, kjo masë ka për qëllim të krijojë kushte më të favorshme për mërgimtarët që vizitojnë vendlindjen gjatë kësaj periudhe, duke ua bërë ardhjen më të lehtë dhe më të ngrohtë. “Ky qytet nuk është vetëm adresë, por shtëpi”, ka theksuar Muharremaj, duke i ftuar mërgimtarët që t’i kalojnë festat pranë familjeve dhe bashkëqytetarëve të tyre. Komuna e Suharekës u ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve, duke shprehur gatishmërinë që festat e fundvitit të kremtohen së bashku në vendlindje, në një atmosferë mikpritjeje dhe solidariteti. / Telegrafi /