Tërheqja e Nicholas Lyndhurstit nga jeta publike

Dyshja më e famshme në Britani: Nicholas Lyndhurst dhe David Jason Nga: George Chesterton / The Telegraph (titulli: Why Nicholas Lyndhurst is missing from the Only Fools reunion ) Përkthimi: Telegrafi.com David Jason pëlqen të tregojë anekdotën kur ai dhe Nicholas Lyndhurst sajuan një zënkë në xhirimet e seriailit “Only Fools and Horses”. Në vitin 1991, në kulmin e popullaritetit të serialit, Del Boi dhe Rodni, të cilët ishin të mërzitur, vendosën se ishte koha për të sjellë pak gjallëri. David Jason, Nicholas Lyndhurst dhe Buster Merryfield në episodin special të Krishtlindjeve të vitit 1987 të Only Fools and Horses “Unë dhe Nicku ishim në karavan”, ka thënë Jasoni, 85 vjeç. “Po rrinim kot dhe i thashë: ‘E di çfarë? Pse të mos shtiremi sikur kemi një zënkë? Ti mund të dalësh me vrull dhe të thuash që po largohesh, e unë mund të bërtas: ‘Mos u kthe më kurrë. S’dua të punoj kurrë më me ty’. Kështu që dera u hap me vrull dhe Nicku doli duke shfryrë dhe unë hodha diçka pas tij. Por, pastaj menduam se ndoshta e tepruam, kështu që u thamë të gjithëve: ‘Ishte vetëm një shaka’”. Thashethemet për një marrëdhënie të tensionuar apo problematike mes dy yjeve më të mëdhenj të serialit vazhdojnë edhe sot - pavarësisht çdo dëshmie që tregon të kundërtën - dhe ka të ngjarë që anekdota e “zënkës për shaka” të jetë mënyra e tyre për të përballuar këto spekulime. Ajo që është e vërtetë është se Jasoni dhe Lyndhursti ishin aktorë shumë të ndryshëm, nga breza të ndryshëm, me qëndrime të ndryshme ndaj famës. Dinamika e partneritetit të tyre në ekran varej po aq nga këto dallime sa edhe nga talenti i tyre i përbashkët që i bëri të jenë, në shumë mënyra, dyshja më e dashur në televizion. “Kur lexuam skenarin për herë të parë, ndodhi ajo kimi”: Nicholas Lyndhurst si Rodni dhe David Jason si Del Boi në sezonin e parë të serialit (BBC) Lajmi se do të realizohet një dokumentar i ri për Only Fools and Horses në vitin 2026, pa përfshirjen e Lyndhurstin, tani 64 vjeç, ngjalli pyetje të reja rreth marrëdhënies së tij me trashëgiminë e serialit. Por, këto dyshime marrin më shumë kuptim në kontekstin e shmangies së tij të përhershme ndaj publicitetit - e lëre më tragjedinë personale që e ka shtyrë të mbrojë privatësinë edhe më rreptë. Në vitin 2020, djali i tij i vetëm, Archie, aktor, vdiq nga leucemia limfoblastike akute në moshën 19-vjeçare. “Mungesa e Lyndhurstit në dokumentarin e ri nuk ka të bëjë me ndonjë problem personal apo ndonjë përplasje me pjesën tjetër të kastit”, thotë Graham McCann, autor i librit Only Fools and Horses: The Story of Britain’s Favourite Comedy . “Privatisht, mendoj se ai është në marrëdhënie të mira me ta. Ai është dikush që sheh një ndarje të qartë mes vetes dhe personazheve që luan, dhe dëshiron të përqendrohet në të tashmen. Kur e mbaron një punë, e mbaron. Nuk është rehat të dalë në pah për të shënuar një personazh që ka luajtur në të kaluarën. Preferon të qëndrojë i tërhequr. Nuk njoh ndonjë aktor që është kaq ekstrem në këtë drejtim. Kështu ndihet ai se duhet të jetë, për të funksionuar si aktor”. Lyndhurst dhe djali i tij Archie, në vitin 2015 Foto: David M. Benett/Dave Benett/WireImage Only Fools and Horses u transmetua në shtatë sezone me 19 episode speciale nga 1981 deri më 2003. Për të shënuar 45-vjetorin e serialit, dokumentari Only Fools and Horses: The Lost Archive , nga U&Gold, do të sjellë pamje arkivore, të patransmetuara, të familjes Troter - dhe u mirëprit me entuziazëm nga adhuruesit e një prej komedive më të dashura në historinë britanike (episodi Time On Our Hands , në vitin 1996 u pa nga më shumë se 24 milionë njerëz). Jasoni dhe Lyndhursti erdhën në serial nga rrugë shumë të ndryshme. “Jasoni ishte shkollë më e vjetër, sepse kishte bërë gjithçka në teatrot e repertorëve, që kërkonin përshtatshmëri dhe pranim të roleve që s’të pëlqenin”, thotë McCann. “Ndonjëherë dukej sikur nuk do të bëhej kurrë yll, dhe duhej të punonte shumë e të ishte i durueshëm. Ndërkaq, Lyndhursti bëri një lëvizje logjike drejt një roli të madh që në moshë të re”. - YouTube Jasoni ishte aktor i njohur televiziv para vitit 1981, por ende jo një emër i njohur në çdo shtëpi. Lidhej më së shumti me Ronnie Barkerin, duke u paraqitur në tri episode të sitkomit Porridge dhe si ndihmësi i tij, Granvilli, në serialin Open All Hours . Lyndhursti, nga ana tjetër, kishte ndjekur Shkollën e Aktrimit “Korona” [Corona Theatre School] në Londrën Perëndimore dhe kishte luajtur në drama dhe emisione për fëmijë - më së shumti i njohur si një nga djemtë e Wendy Craigut në serialin Butterflies , në vitin 1978, kur ishte 17 vjeç. “Kur Davidi dhe Nicholasi u bashkuan për herë të parë, ishin aktorë të shkëlqyer, por ata morën një skenar brilant të shkruar posaçërisht për ta”, thotë Tony Dow, regjisor i serialit në vitet 1988-2003, përfshirë disa episode për Krishtlindje. Dow ishte mik i ngushtë me krijuesin e serialit, John Sullivan, i cili vdiq në 2011. “Nuk zgjati shumë që ata të njihnin talentin e njëri-tjetrit dhe të mbështeteshin tek ai”. Lyndhursti dhe Jasoni në Çmimet Kombëtare të Filmit [National Film Awards] në Londër më 2017 (Foto: Eamonn M. McCormack/Getty Images) “Marrëdhënia me Davidin ishte e menjëhershme”, ka thënë Lyndhurst. “Kur unë, Davidi dhe Lennard Pearce [gjyshi] lexuam skenarin për herë të parë, ndodhi ajo kimi. Unë dhe Davidi u bëmë të njohur për të qeshurat [gjatë xhirimeve]. Kishte dashuri në qendër të marrëdhënies së personazheve, dhe këtë gjithmonë e kishim parasysh - si gjënë më të rëndësishme për t’u portretizuar. Nuk ishte e vështirë të aktronim ‘afeksionin’, sepse vërtet e ndjenim për njëri-tjetrin.” Spekulimet se dy aktorët kryesorë nuk shkonin mirë vijnë nga kureshtja e natyrshme e adhuruesve për marrëdhënien e dyshes që ishte kaq e dashur në ekran, saqë njerëzit nisën të pyesnin se si është ajo jashtë ekranit. “Shumë njerëz paramendojnë tension të vërtetë, siç ndodhi mes Rodney Bewesin dhe James Bolamin në The Likely Lads , apo mes disa aktorëve të Dad’s Army ”, thotë McCann. “Adhuruesit e flaktë i shohin si prindërit që nuk shkojnë mirë mes vete”. Lyndhursti pati sukses edhe me seriale të tjera, si “Goodnight Sweetheart” (Foto: PA/Alamy) “Mund t’ju them, kategorikisht, se kurrë nuk ka pasur ndonjë sherr mes tyre”, thotë Dow. “Nuk kishte konflikt, sepse të gjithë e dinim që ishim me fat të ishim pjesë e këtij seriali të jashtëzakonshëm - edhe pse Nicku vështirë e përjetonte famën në atë kohë. Ai ecte rrugëve me një kapele të madhe mbi kokë dhe një pallto, sepse nuk e përballonte dot reagimin e njerëzve. Lyndhursti ishte më pak i përshtatshëm për jetën publike dhe e bezdiste më shumë gjithë vëmendja”, thotë McCann. Shtrirja e ndikimit të serialit ishte aq e madhe, saqë edhe vetë Jasoni - i cili ka qenë më i përfshirë se Lyndhursti në universin Only Fools që nga përfundimi i xhirimeve - ka shprehur keqardhje që puna tjetër e tij ( Porterhouse Blue , A Touch of Frost , The Darling Buds of May ) shpesh është mbuluar nga fiksimi i publikut me Del Boin. Lyndhursti pati sukses në teatër dhe seriale të tjera si Goodnight Sweetheart dhe The Two of Us , dhe së fundmi mori lëvdata për rolin e një profesori anglez në rikthimin e serialit Frasier në vitin 2023. Por, nëse dikur ishte i rezervuar për daljet publike, vdekja tragjike e djalit të tij mund ta ketë bindur ta mbrojë privatësinë edhe më fort pas vitit 2020. Lyndhurst në një skenë në serialin “Frasier” më 2023 “Kam qenë aty për të dhe bashkëshorten e tij, por më thanë ... se po kalonin një kohë shumë të vështirë dhe se shumë njerëz po kërkonin intervista dhe deklarata”, tha Jason më 2022. “Ai më tha: ‘Mos u mërzit nëse nuk të kontaktojmë. Thjesht duam të vazhdojmë jetën dhe ta bëjmë zinë në qetësi’. Ai është shumë më i mbyllur tani sesa më parë. Dhe, për fat të keq, nuk takohemi aq shpesh sa do të doja. Por, ndonjëherë, kështu shkojnë gjërat”. Kështu, dokumentari me dy pjesë, Only Fools and Horses: The Lost Archive , do të përfshijë intervista të reja me pjesëtarët e mbijetuar të kastit dhe ekipit, si dhe materiale arkivore nga episodet klasike. Të gjithë do t’i bëjnë homazh John Sullivanit, i cili ndërroi jetë në 2011 - një njeri të cilin, si Jasoni ashtu ashtu edhe Lyndhursti, e quanin “gjeni”. Por, Lyndhursti, i cili jeton me gruan e tij në Uest-Uitering afër Çiçesterit në Suseksin Perëndimor, nuk do të jetë me ta. “Kur unë dhe Davidi takohemi, themi: ‘Nicku është mirë dhe është aty, por kjo pjesë e jetës së tij ka mbaruar për të’”, shpjegon Dow. “Edhe nëse nuk do të kishte kaluar në tragjedi personale, gjithsesi do ta urrente gjithë këtë”. /Telegrafi/