Implantimi i një kërdhokulle artificiale tek fëmijët përfaqëson një nga vendimet kirurgjikale më selektive dhe më komplekse në ortopedi, veçanërisht kur bëhet fjalë për pacientë në fazë aktive rritjeje. Pikërisht për këtë arsye, rasti i djalit 14-vjeçar Mihajllo përbën një hap pionier në mjekësinë maqedonase – për herë të parë në vend është realizuar zëvendësimi i kërdhokullës tek një pacient i kësaj moshe, një ndërhyrje që deri më tani konsiderohej si opsion i fundit dhejashtëzakonisht i rrallë. Ndërhyrja u realizua nga ekipi kirurgjikal i Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”, i përbërë nga Prof. Dr. Viktor Kamnar, ortoped, si dhe traumatologët Prof. Dr. Igor Kaftanxhiev dhe Dr. Mihajllo Ivanovski. Mihajllo vuan nga nekroza avaskulare e kokës së kërdhokullës (Sëmundja Legg-Calvé-Perthes), një diagnozë që shfaqet në moshë fëmijërore dhe që me kalimin e kohës, mund të çojë në shkatërrim të plotë të nyjës. Tek ai, gjendja kishte përparuar duke shkaktuar shkurtim të dukshëm të këmbës mbi 4,5 centimetra, ecje në majë të gishtërinjve, shtrembërim të legenit dhe deformime sekondare të shtyllës kurrizore, me dëmtime serioze në biomekanikën e trupit dhe dhimbje të theksuara. Nëse nuk do të kryhej ndërhyrja, prognoza për këtë rast do të ishte invaliditet i rëndë. “Kjo është një procedurë kirurgjikale jashtëzakonisht selektive. Tek fëmijët ekzistojnë shumë polemika nëse duhet pritur përfundimi i rritjes apo të bëhet ndërhyrje më herët. Megjithatë, ka raste me indikacione të qarta, si në këtë rast, ku praktikisht nuk ekziston alternativë tjetër terapeutike,” shpjegon Prof. Dr. Viktor Kamnar, specialist i ortopedisë që realizoi ndërhyrjen. Teknikisht, operacioni është shumë më kompleks krahasuar me pacientët e rritur. Kërdhokulla e fëmijës përbëhet kryesisht nga indi kërcor dhe çdo gabim mund të çojë në vendosje të paqëndrueshme të implantit, duke shkaktuar pasoja serioze në të ardhmen. Një sfidë shtesë përbën edhe barazimi i saktë i gjatësisë së ekstremitetit gjë që është e mjaftueshme për të korrigjuar asimetrinë duke marrë parasysh rritjen e mëtejshme. “Qëllimi ishte që, njëkohësisht, të arrihej një gjendje e qëndrueshme e kërdhokullës, të barazohej gjatësia e ekstremiteteve, të eliminohej plotësisht dhimbja dhe të tejkalohej invaliditeti. Në kirurgji nuk ekziston siguri 100 për qind, prandaj rëndësia dhe përgjegjësia e kësaj ndërhyrjeje janë jashtëzakonisht të mëdha”, shton Prof. Kamnar. Vendimi për operacionin u mor pas një përgatitjeje të gjatë dhe të plotë paraoperative, duke minimizuar çdo rrezik të mundshëm. Terapia fizikale filloi që ditën e nesërme pas ndërhyrjes dhe fëmija, brenda një periudhe të shkurtër, u ngrit në këmbë, nuk ecën më në majë të gishtërinjve dhe sot ecën pothuajse pa ndihmë. Si pasojë e mospërdorimit afatgjatë të këmbës, hipotrofia muskulore e pranishme po tejkalohet gradualisht me ndihmën e rehabilitimit. Për familjen, kjo ndërhyrje nënkuptonte fundin e një periudhe të gjatë pasigurie që zgjati më shumë se një vit e gjysmë “Pas më shumë se një viti e gjysmë duke vizituar ortopedët më të mirë në Austri, Bullgari dhe Maqedoni, më në fund e gjetëm mjekun e duhur për Mihajllon. Edhe pse shumë prej tyre propozonin ndërhyrje kirurgjikale që nuk ishin të përshtatshme për diagnozën e tij – sëmundjen Perthes – askush nuk ishte i gatshëm të kryente zëvendësimin e domosdoshëm të kërdhokullës tek një fëmijë 14-vjeçar. Pas guximit që ai tregonte çdo ditë, fshihej një barrë e madhe psikologjike. Gjithçka filloi me një rënie të thjeshtë gjatë mësimit të edukimit fizik, duke luajtur futboll në mars të vitit 2024, pas së cilës pasuan muaj të tërë të pasigurisë dhe dhimbjes, si dhe ndjekje e mësimit online, gjë që ndikoi edhe më tej në gjendjen e tij.” Më datën 07.11.2025, Prof. Dr. Viktor Kamnar realizoi operacionin që ia ndryshoi jetën. Nuk do ta harroj kurrë momentin kur, pas tre orësh, doli nga salla e operacionit dhe më tha: “Dragica, gjithçka është në rregull. Më fal… po shkoj të ulem, sepse edhe për mua ky operacion ishte stresues – megjithatë ai është një fëmijë si djali im. E operova me emocione të veçanta.” Këto fjalë do të mbeten përgjithmonë në zemrën time. Vetëm tre ditë më vonë, më 10.11.2025, Mihajllo ngjiti vetë 15 shkallët deri në banesën e tyre. Iu kthyen buzëqeshja dhe vetëbesimi, ndërsa ne më në fund ndiejmë lehtësim. “Mirënjohje e thellë për Prof. Dr. Kamnar për profesionalizmin e jashtëzakonshëm, humanizmin dhe guximin për ta kryer operacionin që askush tjetër nuk e kishte bërë,” deklaruan prindërit e Mihajllos. Ky rast nuk është vetëm një sukses mjekësor, por edhe një mesazh i fuqishëm për guximin e mjekësisë bashkëkohore për të marrë vendime të vështira dhe të rëndësishme për jetën – veçanërisht kur bëhet fjalë për një fëmijë që meriton një fëmijëri dhe një të ardhme pa dhimbje.