Zbulohen mbi 10 mijë euro të fshehura në trupin e një udhëtari në Aeroport

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me policinë, kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij. Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete. Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro. "Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore. Rasti është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm", thuhet në njoftim. Po ashtu siç thuhet në njoftim forcimi i kontrolleve në pikat kufitare mbetet prioritet, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe interesave financiare të shtetit. /Telegrafi/