Ylli i Napolit, Scott McTominay ka deklaruar se është “shumë e lehtë” të fajësohet Manchester United sa herë që lojtarët që largohen nga “Old Trafford” shkëlqejnë diku tjetër, duke theksuar se klubi kishte bërë gjithçka për ta ndihmuar gjatë kohës sa ishte aty. McTominay është një nga shumë ish-lojtarët e Manchester United që kanë nisur të japin rendimente të qëndrueshme pasi janë larguar nga klubi anglez. Rasmus Hojlund duket se po ndjek një rrugë të ngjashme në “Stadio Maradona”, ndërsa raste të tjera të ngjashme ka edhe jashtë Serie A, si Anthony Martial apo Marcus Rashford. “Është thjesht shumë e lehtë si justifikim të thuash se janë larguar nga Manchester United dhe tani po bëjnë mirë”. McTominay kujtoi edhe sezonin e tij të fundit me klubin anglez, duke theksuar se kishte dhënë kontribut konkret. “Në vitin tim të fundit, bëra mirë, shënova dhjetë gola dhe fituam një trofe. Sa i përket Marcusit, kishte disa çështje të ndryshme që mund të kenë ndodhur, por nuk do të hyjmë në to”. “Marcus është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka qenë gjithmonë i tillë. Ai është një nga legjendat e klubit. Ka shënuar kaq shumë gola për Manchester United dhe ka bërë kaq shumë gjëra të mëdha. Për shkak se vëmendja është gjithmonë drejtpërdrejt mbi ty, gjithçka duket shumë më keq, sipas mendimit tim”. Mesfushori i Napolit shtoi se faktor kyç është koha e lojës dhe besimi në vete. “Kur lojtarët largohen dhe luajnë më shumë ndeshje, patjetër që do të kenë rritje të vetëbesimit dhe do të ndihen më mirë me veten, krahasuar me rastet kur luajnë pak minuta te Manchester United, për shembull. Por kur je te Manchester United, duhet t’i fitosh ato minuta, si Bruno Fernandes, i cili ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Prandaj mendoj se është shumë e lehtë të thuhet diçka e tillë”. McTominay theksoi se përgjegjësia është individuale dhe se klubi nuk duhet të vihet në shënjestër. “Varet nga individi. Për mua, është shumë e lehtë të fajësosh Manchester United si klub, sepse sa herë që isha aty, ata bënë gjithçka për mua. Më ndihmuan me ushqimin, me stërvitjen, taktikisht, pavarësisht se kush ishte trajner. Gjithçka ishte aty për të pasur sukses. Nuk është se ata nuk të ofrojnë gjëra që klubet e tjera i ofrojnë. I ofrojnë”. “Kështu që miti i largimit dhe i shndërrimit në lojtarë më të mirë lidhet me vetëbesimin. Nëse largohesh dhe luan çdo ndeshje, shënon një gol, pastaj shënon sërish dhe njerëzit fillojnë të flasin, ndihesh mirë me veten dhe dëshiron të vazhdosh në atë mënyrë”, shtoi skocezi./ Telegrafi