Të luash në Major është ëndrra më e madhe e çdo lojtari të Counter-Strike, por ta jetosh atë me fanellën e një prej organizatave më të mëdha në botë si NaVi dhe duke përfaqësuar Kosovën, është diçka që shkon përtej fjalëve. Nga adrenalina e ‘play-off’-it te zhgënjimi i një rasti që mund të kishte ndryshuar gjithçka, ‘makazze’ ka folur hapur për përvojën e tij në skenën më të madhe të CS2. Duke reflektuar mbi paraqitjet e tij, “makazze” shprehet i kënaqur në aspektin personal, edhe pse pranon se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Ai veçon përballjen ndaj FaZe, ku një gabim në “Nuke” rezultoi vendimtar. Një raund i fituar nga “Twistzz” në situatë 1v4, sipas tij, ia ndërpreu plotësisht momentumin ekipit dhe ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes, duke i larguar nga ëndrra për t’u kualifikuar në finale. “Është një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj, ndjenjë që secili prej atyre që luajnë këtë lojë do të donin ta përjetonin”. “Jam i kënaqur me paraqitjet e mia në play-off, edhe pse kuptohet që ka mundur edhe më mirë. Kundër FaZe gabuam në ‘Nuke’, kur rezultati ishte 8-2 dhe “Twistzz” e fitoi një raund duke shuajtur tërë momentumin tonë”. “Gjatë këtij rrugëtimi nuk kam ndjerë aspak presion, në fakt ishte kënaqësi të luajë dhe ta përfaqësojë Kosovën në ‘play-off’”. “Ndryshime në roster nuk besoj se do të ketë, por të shohim. Në aspektin personal synoj të punojë edhe më shumë, në mënyrë që herën tjetër të arrijmë finalen dhe ta fitojmë trofeun”, ka deklaruar “makazze”. Telegrafi e ka pyetur Shaqirin edhe për deklaratën e “zweih”, me këtë të fundit që kohë më parë kishte deklaruar se “makazze” do të përjashtohet nga NaVi pas gjysmë viti. Megjithatë, ylli kosovar nuk preferoi që të përgjigjet duke shtuar se ai preferon të përqendrohet vetëm tek forma e tij. “Nuk kam çfarë të flas për këtë temë. Qëllimi im është të vazhdojë me këtë formë dhe me mundësi të përmirësohem, pasi gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, gjërat e tjera janë në plan të dytë”, përfundoi ai./ Telegrafi /