Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njohjes së Kosovës nga Bahamas, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të forcës dhe konsolidimit të shtetësisë së vendit në arenën ndërkombëtare. Në postimin e tij, Haradinaj ka theksuar se kjo njohje, e 121-ta për Kosovën, tregon qartë se rruga euroatlantike e vendit është e drejtë dhe e pakthyeshme. Ai ka shtuar se Kosova ka nisur një proces avancimi ndërkombëtar dhe se nuk ekziston forcë që mund ta kthejë këtë proces pas. “Kosova do të vazhdojë të ngritë flamurin e saj si shtet i pavarur, sovran dhe partner serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë,” ka shkruar Haradinaj, duke uruar qytetarët për këtë zhvillim të rëndësishëm diplomatik.