Nën tingujt e muzikës festive dhe në një atmosferë plot ngjyra e buzëqeshje, fëmijët e kopshtit në American School of Kosova (ASK) organizuan me shumë dashuri festat e fundvitit, duke sjellë emocione të veçanta për prindërit dhe stafin arsimor. Të vegjlit, të veshur me kostume festive, interpretuan këngë dhe valle, duke dëshmuar jo vetëm gëzimin e tyre, por edhe përkushtimin e edukatorëve në zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Prindërit nuk i fshehën emocionet gjatë performancave. Rina Mustafa, njëra nga prindërit pjesëmarrës në aktivitet, u shpreh se këto momente janë tejet të veçanta për familjet. “Është një ndjenjë shumë e bukur si prind, pasi që kur vijnë në skenë në festat e fundvitit dhe i shohim fëmijët tanë duke u rritur, sidomos kur po performojnë në skenë, normalisht që na mbushet zemra me krenari dhe është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha ajo. Ndërkaq, drejtoresha e institucionit parashkollor American School of Kosova, Fixhirie Sela, theksoi rëndësinë që kanë këto aktivitete jo vetëm si festa simbolike, por edhe si pjesë e procesit edukativ gjatë gjithë vitit. “Kjo do të thotë shumë jo vetëm për festat e fundvitit, por për gjithë vitin. Kemi të bëjmë me moshën më delikate, me moshën e fëmijërisë së hershme dhe investimi në këtë moshë është aq esencial për gjithë jetën e tyre”, u shpreh ajo. /Telegrafi/