Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar nga afër disa nga bizneset vendore. Duke theksuar se mbështetja institucionale për sektorin privat ka sjellë rezultate konkrete në rritjen e punësimit, qarkullimit dhe pagave, ai tha se e njejta do të rritet edhe në mandatin e ardhshëm. Kompania Delfin LTD, e cila e ka rritur numrin e të punësuarve për 100%, numëron 264 punëtorë, ndërsa qarkullimi vjetor është rritur nga 26 milionë në 63 milionë euro dhe paga mesatare nga 460 në 737 euro. Praktikën e ndarjes së pagës së 13-të nga kjo kompani e ka vlerësuar Kurti, duke sjellur në vëmendje se Qeveria synon ta zbatojë këtë model edhe në sektorin publik në mandatin e ardhshëm, që në fillim të vitit. Tutje, Kryeminstri Albin Kurti ka vizituar edhe kompanitë OTTO House Manufacture dhe OTTO Fabwerke L.L.C., me bashkëpronarë nga Kosova dhe Gjermania, prodhues të shtëpive modulare, ngjyrave dhe fasadave për tregun vendor dhe ndërkombëtar, me vlerë eksporti 1.5 milionë euro në Evropë dhe në ShBA. Kompania Metal In në Fushë Kosovë, të cilën e vizitoi Kurti, me mbi 30 të punësuar, ka produkte të licencuara dhe të certifikuara sipas standardeve evropiane. Ai tha se kontributi i prodhimtarisë vendore, është kyç për ekonominë, për çka i garantoi mbështetjen edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.