Frizerja e Julia Roberts zbulon tri rregulla të domosdoshme për flokë të shëndetshëm gjatë dimrit Periudha e dimrit mund të jetë sfiduese për kujdesin e flokëve. Të ftohtit nuk i përshtatet asnjë tipi floku, ndaj është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje shëndetit të lëkurës së kokës dhe fijes së flokut gjatë kësaj stine. Frizerja e aktores Julia Roberts, Kadi Lee, ka zbuluar disa truke, ose më saktë, hapa thelbësorë që duhet të bëhen pjesë e rutinës sonë nëse duam të ruajmë shkëlqimin dhe vitalitetin e flokëve. Ju prezantojmë tre rregullat kryesore për flokë të shëndetshëm: 1. Hidratimi Hidratimi është veçanërisht i rëndësishëm gjatë muajve të dimrit. Lee shpjegon se moti i ftohtë e than lëkurën e kokës dhe flokët, prandaj është thelbësore që hidratimi të kompensohet rregullisht. Ajo rekomandon përdorimin e një maske javore, si dhe kujdesin e përditshëm dhe mbrojtjen e lëkurës së kokës. Gjithashtu, sugjeron serum për stimulimin e rritjes së rrënjës, i cili ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të mikrobiomës së lëkurës së kokës. Ky produkt është veçanërisht i dobishëm në dimër, sepse e mban lëkurën e kokës të qëndrueshme, të hidratuar dhe të balancuar, transmeton Telegrafi. 2. Produktet nuk duhet të jenë “zgjidhje të shpejta” Është e rëndësishme të zgjidhni produkte që mbështesin shëndetin afatgjatë të flokëve. Kërkoni formula me përbërës që mbrojnë kutikulën, ushqejnë lëkurën e kokës dhe punojnë në harmoni me teksturën natyrale të flokut, në mënyrë që ai të mbetet i fortë dhe rezistent. Produktet duhet jo vetëm të jenë të sigurta për flokët e lyer, por edhe të ndihmojnë në ruajtjen e ngjyrës, shkëlqimit dhe vitalitetit të përgjithshëm. 3. Stresi Për flokë të shëndetshëm dhe të mirëmbajtur nuk mjaftojnë vetëm produktet e duhura. Ekzistojnë edhe faktorë të jashtëm që ndikojnë drejtpërdrejt në vitalitetin e flokut. Qarkullimi i gjakut, ushqimi, hidratimi, kujdesi për veten dhe menaxhimi i stresit janë po aq të rëndësishëm. Prandaj, Lee këshillon “gjëra të thjeshta, si disa minuta masazh të kokës ose rituale të vogla të përditshme”, të cilat mund të bëjnë një ndryshim të madh në shëndetin e përgjithshëm të flokëve, nëse i praktikojmë me përkushtim dhe vazhdimësi. /Telegrafi/